Sport

VIDEO / Arsenalit i mjaftojnë vetëm 45 min. për të fundosur Chelsea!

Pas një pjese të parë me shifrat 3-0 për Topçinjtë në të dytën Chelsea arrin të shënojë të paktën një gol pasi djemt e Artetës ulën ndjeshëm ritmin

2 Maj 2023, 22:45 Nga DOSJA
VIDEO / Arsenalit i mjaftojnë vetëm 45 min. për të fundosur

ANGLI – Vërtetë ndoshta nuk mund të përballet me Manchester City si i barabartë, por me të tjerët Arsenali është një skuadër e madhe dhe që arrin të dominojë. Kur më pas bëhet fjalë për Chelsea që në këtë sezon nuk ka arritur asnjëherë të tregojë veten, gjërat duken se bëhen edhe më të thjeshta.

Që në minutën e 18-të është zhbllokuar derbi i Londrës. Pasi mori një top nga Granit Xhaka, Odegaard, goditi saktë nga rreth 15 metra, duke mposhtur portierin Kepa Arrizabalaga.

Goli i shpejtë e çliroi psikologjikisht skuadrën e Artetës, që dominoi në çdo aspekt duke shënuar gola të tjerë për të mbyllur që në pjesën e parë takimin. Odegaard, sërish i asistuar nga Xhaka, në një pozicion thuajse identik së në rastin e golit të parë, dyfishon rezultatin (31′).

Vetëm pak çaste më vonë, Gabriel Jesus realizoi edhe golin e tretë për “Topçinjtë” që i bën shumë të thjeshta gjërat për vazhdimësinë e takimit.

Në pjesën e dytë Arsenali e uli disi ritmin duke pare atë që mundi të bënte në 45 minutat e para por edhe rezultati i avantazhit të trefishtë ja jepte këtë luks. Duke përfituar nga kjo Chelsea ngushton diferencën në 3-1 falë golit të Madueke.

Me shifrat 3-1 u mbyll kjo ndeshje që ngjit sërish Arsenalin në krye të Premier League me dy pikë më shumë se City dhe gjithashtu me dy ndeshje më tepër.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll