Politike

Ibrahimaj: Rënia e euros favorizoi uljen e borxhit publik

Ajo vuri në dukje se ka pasur një rritje të punësimit në sektorin e ndërtimit, dhe rënie në sektorin e shërbimit.

2 Maj 2023, 09:44 Nga m.s
Ibrahimaj: Rënia e euros favorizoi uljen e borxhit publik
Delina Ibrahimaj

TIRANE- Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për mediat ka bërë bilancin sa i takon ekonomisë. Përmes shifrave, ministrja u shpreh se në 3 mujorin e parë të vitit, borxhi publik është ulur.

“Në tremujorin e parë, borxhi ndaj PBB ishte 63.27% të PBB nga 64.58% që ishte në fund të vitit 2022. Sipas strukturës, pesha më e madhe është në borxhin e jashtëm. Këtu dua theksoj dhe peshën e kursit të këmbimit. Borxhi është i identifikuar dhe marrë në euro. Kursi i euros ka sjell dhe një rënie të borxhit publik”, tha më tej ministrja.

Ibrahimaj foli edhe për rritje në sektorin e ndërtimit, prodhimit, transportit dhe tregtisë. Sipas saj, sektori i shërbimeve zë peshën më të madhe në qarkullim. Ajo vuri në dukje se ka pasur një rritje të punësimit në sektorin e ndërtimit, dhe rënie në sektorin e shërbimit.

"Ne kemi pasur një rritje të tatimit mbi fitimin me 22.5%. Tatimi mbi të ardhurat është rritur me 9.5%. Kontributet nga sigurimet shoqërore janë rritur me 14.8%. Sektori i prodhimit ka pasur një rritje prej 31%. Kemi pasur rritje të punësimit në sektorin e ndërtimit, prodhimit, ndërsa ulje kemi pasur në sektorin e shërbimit. Kemi pasur rritje në sektorin e tregtisë. Sektori i shërbimeve vijon të zërë peshën më të madhe në punësim. Sa i përket financimit të konsumit dhe pagave, presim që pagat të vijojnë të rriten, në fund të 2022 paga mestare shënoi 66 mijë lekë. Presim që në 6 mujorin e dytë të ketë një rritje të ndjeshme. Shifrat e borxhit kanë vijuar të jetë pozitive”, citoi ministrja.

Sa u takon importeve, theksoi se pas një periudhe të gjatë, janë rritur më shumë në vëllim se sa në vlerë. Çmimet e importeve kanë filluar të ngadalësohen ndërsa eksportet janë rritur qoftë në vlerë edhe në vëllim.

"Importet për herë të parë pas një periudhe të gjatë janë rritur më shumë në vëllim se sa në vlerë. Çmimet e importeve kanë filluar të ngadalësohen. Importet në vëllim janë rritur me 6.9% ndërsa në vlerë me 0.4%. Eksportet janë rritur qoftë në vlerë edhe në vëllim", u shpreh Ibrahimaj. /Dosja.al 

delina ibrahimaj borxhi publik euro

Sondazh

Poll