Bota

Rusia i kundërpërgjigjet ashpër Norvegjisë, shpall non-grata 10 diplomatë

Në mesin e prillit, Norvegjia njoftoi dëbimin e 15 oficerëve të inteligjencës që punonin në ambasadën ruse në Oslo.

26 Prill 2023, 14:57 Nga a.l
Rusia i kundërpërgjigjet ashpër Norvegjisë, shpall non-grata
Foto ilustruese

RUSI- Rusia ka dëbuar 10 diplomatë norvegjezë në kundërpërgjigje të Norvegjisë e cila më herët njoftoi se do të dëbonte 15 rusë. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Jashtme e Rusisë. 

"(Ambasadorit të Norvegjisë në Rusi) Robert Kvile iu dorëzua një notë ku shpalleshin 'persona non grata' 10 përfaqësues të ambasadës norvegjeze në Moskë," tha Ministria e Jashtme e Rusisë. 

Në mesin e prillit, Norvegjia njoftoi dëbimin e 15 oficerëve të inteligjencës që punonin në ambasadën ruse në Oslo, shkruajnë mediat e huaja. 

"Ky hap armiqësor e përkeqësoi më tej situatën në marrëdhëniet tona dypalëshe, të cilat tashmë janë në një nivel kritikisht të ulët," tha të mërkurën ministria ruse.

Autoritetet norvegjeze thanë se ishin njoftuar për dëbimet.

"Të gjithë diplomatët tanë në Rusi kryejnë punë normale diplomatike. Autoritetet ruse e dinë mirë këtë," tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Ragnhild Simenstad.

Shërbimet e inteligjencës norvegjeze tregojnë rregullisht Rusinë dhe Kinën si kërcënimet kryesore të spiunazhit ndaj vendit nordik, i cili është anëtar i NATO-s dhe ndan një kufi prej 198 kilometrash (123 milje) me Rusinë në Arktik. 

lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll