Sport

Pësoi pesë gola për 21 minuta, reagon Hugo Lloris pas turpërimit të Tottenham: “Kishte diçka të çuditshme në fushë...”

Spurs u poshtëruan gjatë vizitës në Newcastle, ata u mundën 6-1.

24 Prill 2023, 22:18 Nga DOSJA
Pësoi pesë gola për 21 minuta, reagon Hugo Lloris pas

ANGLI - Ish-kapiteni i Francës, portieri i Tottenhamit, Hugo Lloris, u zëvendësua në fund të pjesës së parë në ndeshjen me Newcastle. Spurs pësuan një humbje poshtëruese 6-1, ndëkohë që vetëm në 21 minuta, portieri Lloris kishte pësuar pesë gola. Lojtari, i cili u zëvendësua në pjesën e parë për shkak të një dëmtimi, tha se skuadra duhej t'u kërkonte falje tifozëve dhe foli për "diçka të çuditshme në fushë".

"Pësuam pesë gola në 21 minuta... Mund të pësosh një gol, dy edhe mund të ndodhë, por dje kishte diçka të çuditshme në fushë. Nuk mundëm të reagonim, apo të ktheheshim në lojë. Ndërkohë që ata ishin shumë dinamikë, ata dinin saktësisht se çfarë të bënin, me dhe pa top. Ne ishim mbrapa kudo në fushë dhe në të gjitha aspektet e lojës”, ka pranuar portieri francez në një prononcim për “Sky Sports”.

"Është shumë e turpshme. Para së gjithash, duhet t'u kërkojmë falje tifozëve. Nuk treguam një version të mirë dje, nuk mundëm të barazonim paraqitjen e lojtarëve të Newcastle. Ne ishim plotësisht jashtë në pjesën e parë. Në të dytën ajo ishte ndryshe, por është shumë e dhimbshme”,- vazhdoi ai.

"Ne nuk mund të fshihemi pas problemeve të klubit. Ne jemi lojtarë profesionistë, sa herë që dalim në fushë përpiqemi të bëjmë më të mirën që mundemi, por dështuam në shumë mënyra. Kishte një humnerë mes Newcastle dhe Tottenham. Tani kanë mbetur ndeshje të vështira dhe ne duhet të reagojmë”, theksoi Lloris.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll