Aktualitet

DETAJE/ Pagoi dhomën dhe iku me urgjencë pas vrasjes së Nikulajt, anglezi ndërroi dy taksi rrugës për aeroport, u ndalua në Fushë Krujë

Anglezi ka qëndruar i vetëm në hotel dhe ka lëvizur rreth zonës së Nikulajt, ku në disa pamje filmike dallohet dukshëm duke luajtur bilardo.

22 Prill 2023, 15:50 Nga F.M
DETAJE/ Pagoi dhomën dhe iku me urgjencë pas vrasjes së Nikulajt,
Ardian Nikulaj

TIRANË- Gazetari Elton Qyno ka zbardhur detaje në lidhje me lëvizjet e anglezit që po hetohet lidhur me vrasjen e biznesmeni Ardian Nikulaj. Në një shkrim për OraNews, Qyno raporton se shtetasi anglez ka ndërruar dy taksi nga Shëngjini drejt aeroportit në Rinas. Anglezi ka qëndruar i vetëm në hotel dhe ka lëvizur rreth zonës së Nikulajt, ku në disa pamje filmike dallohet dukshëm duke luajtur bilardo.

Personi me emër dhe pasaportë angleze është identifikuar dhe rezulton të jetë larguar përmes aeroportit të Rinasit, disa orë pas vrasjes së Nikulaj. Pas vrasjes ai ka paguar dhomën e hotelit afër komplesit "Coral" dhe është larguar me urgjencë. Të parën taksi e ka marë në zonën e Shëngjinit me të cilën ka udhëtuar deri në Fushë-Krujë. Këtu ka lënë këtë taksi, duke rimarë një taksi të dytë dhe me të është larguar në drejtim të Rinasit, ku shfaqet në kamerat e aeroportit duke bërë chekinin dhe larguar në drejtim të Anglisë.

Për llogari të hetimit, prokuroria ka kërkuar permes oficerëve të kontaktit që të ndalohet dhe pyetet mbi qëllimin e vizitës disa ditore në zonën e Shëngjinit dhe largimit të tij të menjëhershëm, pas vrasjes së biznesmenit Nikulaj.

Deri më tani raportohet se në atentat kanë marrë pjesë të paktën 3 persona,. Dy prej tyre kanë marrë pjesë si vëzhgues, ndërsa një ka qenë organizatori. Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e së mërkurës kur sapo kishte hyrë dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Nikulaj ishte biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit.

Autori, siç u pa nga pamjet, mban një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha. Ai futet në lokal, qëllon me armë Nikulajn dhe pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt largohet qetësisht me motor nga vendngjarja. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim, ndërkohë që pista ku po hetohet është ajo e gjakmarrjes. Kjo pasi Nikulajt i është vrarë një vëlla nga pjesëtarë të fisit Balaj. Kjo ngjarje është pasuar në dy të vrarë nga familja Balaj dhe për asnjërën nga ngjarjet nuk ka pasur të arrestuar. Nuk përjashtohen konfliktet për bizneset apo politikën./Dosja.al

vritet ardian nikulaj ardian nikulaj

Sondazh

Poll