Sport

Humbet terren peshëngritja shqiptare në Europian, Qerimaj i 10-ti, Calja nuk ngre asnjë provë!

Briken Caljen nuk arriti të renditet fare pas dështimit në shkëputje në të tre tentativat me peshën 151, 152, 152 kg.

19 Prill 2023, 09:07 Nga DOSJA
Humbet terren peshëngritja shqiptare në Europian, Qerimaj i 10-ti,

ARMENI - Erkand Qerimaj po garon në kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Yerevan të Armenisë. Peshëngritësi shkodran ishte i pari shqiptar që u ngjit në pedanë duke konkuruar në Baterinë B për peshën 73 kilogramë.

Qerimaj e nisi garën me 145 kg duke arritur ta ngrejë me stilin e shkëputjes. Sakaq edhe në provën e dytë bëri të njëjtën gjë duke ngritur 150 kg. Ndërsa në të tretën dështoi me 152 kilogramë.

Kampioni shqiptar i peshëngritjes e mbylli këtë Bateri përkohësisht i pari. Ndërsa në stilin e shtyjes e nisi me 168 kg duke arritur të përfundojë me sukses provën e parë. Por në të dytën dhe të tretën dështoi, përkatësisht me 173 dhe 174 kg.

Me 318 kg në të dy garat në përfundim të garës edhe të Baterisë A, Qerimaj zbriti në vendin e 10-të, ndërkohë që zhgënjimi i madh mbetet për Briken Caljen, i cili nuk arriti të renditet fare pas dështimit në shkëputje në të tre tentativat me peshën 151, 152, 152 kg.

Ky rezultat që do ta linte atë jashtë renditjes së përgjithme me sa duket e detyroi të tërhiqet fare nga gara për të mos marrë pjesë në stilin e shtytjes.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll