Bota

Kush ishte Alessandro Parini, italiani që humbi jetën në sulmin në Tel Aviv

Avokati i ri sapo kishte mbërritur në Izrael për pushime me disa miq

8 Prill 2023, 12:40 Nga I.A, A.B
Kush ishte Alessandro Parini, italiani që humbi jetën në sulmin
Alessandro Parini

ITALI- Alessandro Parini, italiani që humbi jetën në sulmin në Tel Aviv, ishte një 35-vjeçar i cili pasi mbaroi shkollën e mesme Massimo me rezultatin 100 nga njëqind, i ishte përkushtuar studimeve juridike, në degën e së drejtës administrative.

Ai sapo kishte mbërritur në Izrael me një grup miqsh për një pushim të shkurtër.

Studimet dhe karriera

Siç shpjegon edhe biografia në faqen e studios “Police & Partners”, ku ka punuar, është diplomuar në vitin 2011 në Luiss në Romë (tema e tezës së tij ishin marrëveshjet e së drejtës administrative në fazën e mbledhjes së taksave). Më pas ai mori doktoraturën në vitin 2019 në Universitetin e Tor Vergata, gjithashtu në Romë. Ai kishte qenë i licencuar për të ushtruar profesionin e avokatit që nga viti 2014 dhe vitin e kaluar ka dhënë provimin për të mundësuar ushtrimin e profesionit pranë Gjykatës së Kasacionit dhe juridiksioneve të tjera më të larta.

Ai merrej me të drejtën e kontratave publike, konkurrencën dhe komunikimet elektronike dhe ishte anëtar i Shoqatës së Administratorëve të Rinj.

Pasioni për udhëtimin

Faqja e tij në Facebook dëshmon për pasionin e tij për të udhëtuar në Lindjen e Mesme e deri në Jordani. Foto të tjera e tregojnë atë të angazhuar në një shëtitje me biçikletë në shtegun e çiklizmit përgjatë Tiberit, me Castel Sant'Angelo në sfond, në një dasmë miqsh dhe në Milano, në Piazza del Duomo.

Po çfarë ka ndodhur në Izrael?

Një person është vrarë dhe 7 të tjerë janë plagosur në një sulm terrorist në Tel Aviv të Izraelit, gjatë mbrëmjes së djeshme. Një makinë u përplas me një grup njerëzish pranë një parku përpara se të rrokullisej. Shërbimet e kërkim-shpëtimit deklaruan se një 30-vjeçar mbeti i vdekur, ndërsa katër persona të tjerë të plagosur, të cilët janë duke marrë ndihmë mjekësore. Autori ende nuk është identifikuar./Dosja.al

sulm ne tel aviv

Sondazh

Poll