Sport

Ten Hag nuk e fsheh habinë: “Kisha frikë se Eriksen nuk do të luante më këtë sezon”...

"Rikuperimi i tij ishte shumë më i shpejtë nga sa prisja, gjë që më bën shumë të lumtur”,- tha Ten Hag

8 Prill 2023, 12:15 Nga DOSJA
Ten Hag nuk e fsheh habinë: “Kisha frikë se Eriksen nuk do

ANGLI - Holandezi Erik Ten Hag, trajner i Man.United, tha këtë të premte, në konferencën për shtyp të ndeshjes së të shtunës kundër Evertonit në Old Trafford, ora 13:30, raundi i 30-të i Premier League, se është befasuar nga rikuperimi, në kohë rekord, i mesfushori danez Christian Eriksen, pas dëmtimit të tij në janar. Atëhere diagnozat më të mira tregonin fundin e muajit aktual, ose majin, si kohë për mesfushorin që të bashkohej me 'Djajtë e Kuq'.

“Kisha frikë se sezoni i Christian (Eriksen) do të përfundonte në janar, pas dëmtimit të tij në kyçin e këmbës”,- pranoi trajneri 53-vjeçar këtë të premte për gazetarët, pa e fshehur lehtësimin e tij që mund të llogariste mesfushorin për pjesën e fundit të sezonit, me Man.United në vendin e katërt, i fundit që jep akses për në Champions League në 2023/24 (mund të arrijnë atje edhe nëse fiton Europa League), me 53 pikë në 28 ndeshje të kampionatit anglez.

Pas dëmtimit, në përballjen ndaj Readingut, për Kupën FA (FA Cup), në janar, Eriksen pritet të rikthehet në garë të shtunën, në Old Trafford.

“Ishte një hyrje shumë e ashpër dhe e shëmtuar (nga lojtari i Andy Carroll i Reading), mendova se e kishim humbur për pjesën tjetër të sezonit. Rikuperimi i tij ishte shumë më i shpejtë nga sa prisja, gjë që më bën shumë të lumtur”,- tha Ten Hag, i cili po ashtu konfirmoi për gazetarët se mbrojtësi i majtë anglez, Luke Shaw, i zëvendësuar në fitoren 1-0 ndaj Brentfordit, do të mungojë ndaj Evertonit, për shkak të dëmtimit.

“Luke (Shaw) ishte e kundërta: Mendova se nuk ishte serioze dhe se mund të mbështeteshim tek ai. Është një dëmtim që duhet ta vlerësojmë dita-ditës si evoluon. Ndonjëherë ne e nënvlerësojmë një dëmtim. Por unë jam pozitiv dhe shpresoj që ai do të kthehet shpejt”, tha Ten Hag, edhe pse asgjë nuk është zbuluar për dëmtimin.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll