Bota

Pas Britanisë së Madhe, Australia ndalon përdorimin e ‘Tik-Tok’ nga pajisjet zyrtare

Prokurori i përgjithshëm Mark Dreyfus njoftoi ndalimin pasi mori këshilla nga agjencitë e inteligjencës dhe sigurisë, duke thënë se direktiva do të vendoset "sa më shpejt të jetë e mundur".

4 Prill 2023, 09:39 Nga f.i
Pas Britanisë së Madhe, Australia ndalon përdorimin e
Foto ilustruse

AUSTRALI- Australia i është bashkuar vendeve të tjera perëndimore në ndalimin e përdorimit të TikTok në pajisjet qeveritare. CNN raporton se prokurori i përgjithshëm Mark Dreyfus njoftoi ndalimin pasi mori këshilla nga agjencitë e inteligjencës dhe sigurisë, duke thënë se direktiva do të vendoset "sa më shpejt të jetë e mundur".

Vendimi e vendos Australinë në një linjë me aleatët e saj SHBA , Britaninë dhe Kanadanë, të cilat kanë njoftuar tashmë kufizime të ngjashme, ndërsa parlamenti i Zelandës së Re urdhëroi gjithashtu që aplikacioni të hiqet nga të gjitha pajisjet me akses në legjislaturë. Norvegjia dhe Parlamenti Evropian kanë bërë lëvizje të ngjashme dhe javën e kaluar NATO ndaloi stafin të shkarkojnë aplikacionin në pajisjet e ofruara nga NATO.

Në njoftimin e lëshuar nga Departamenti i Prokurorit të Përgjithshëm thuhet se 'TikTok' paraqet rrezik për sigurinë dhe privatësinë për shkak të "grumbullimit të gjerë të të dhënave të përdoruesve dhe ekspozimin e të dhënave nga një qeveri e huaj që bie ndesh me ligjin australian".

Deri më tani, nuk ka asnjë provë që qeveria kineze ka aksesuar të dhënat e përdoruesve të TikTok dhe asnjë qeveri nuk ka miratuar një ndalim më të gjerë të aplikacionit. Megjithatë, administrata Biden ka kërcënuar se do ta bëjë këtë në Shtetet e Bashkuara, nëse pronarët kinezë të aplikacionit, nuk pranojnë të ndajnë pjesën e tyre të platformës së mediave sociale.

Qeveria e SHBA është e shqetësuar se Kina mund të përdorë ligjet e saj të sigurisë kombëtare për të aksesuar sasinë e konsiderueshme të informacionit personal që TikTok, si shumica e aplikacioneve të mediave sociale, mbledh nga përdoruesit e tij amerikanë.

tik tok australia ndalon tik tok

Sondazh

Poll