Sport

SHISH ndërhyn në Botërorin e Peshëngritjes që u zhvillua në Shqipëri, “përjashtoi” kombëtaren e Iranit nga evenimenti…

Përgjigjet ashpër Federata Iraniane e Peshëngritjes: “Ju mbeteni një vend komunist”…

3 Prill 2023, 11:39 Nga DOSJA
SHISH ndërhyn në Botërorin e Peshëngritjes që u

TIRANE - Shërbimi Informativ Shtetëror ka ndërhyrë ashpër që të përjashtojë kombëtaren e Iranit që të marri pjesë në kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të rinj që u zhvillua në Shqipëri, eveniment që uli siparin më 1 prill në qytetin e Durrësit. Kërkesa për të mos pajisur me viza shqiptare Iranianët, ka ndezur debate të ashpra në distance mes federatave në Tiranë dhe Teheran.

750 sportistë dhe stafe të tyret nga 45 shtete të botës ishin pjesëmarrës dhe vizitorë të vendit tone, për të marrë pjesë në këtë aktivitet ndërkombëtar të rinjsh, që Shqipëria prej dy vishtesh po organizon, duke u bërë pjesë e axhendës ndërkombëtare të këtij sporti. Kjo pas Europianit të të rinjve, pak muaj më pas të rriturve dhe Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të Federatës Botërore (IWF), që u zhvillua në Tiranë vitin e shkuar.

Në kuadër të marrjes së masave për organizimin e këtyre aktiviteteve, ku shumë vende pjesëmarrëse kanë nevojë të pajisen me viza, Federata Shqiptare e Peshëngritjes (FSHP), bashkëpunon me autoritetet vendore, si Ministria e Jashtme apo edhe Agjencitë e Inteligjencës. Por ndryshe nga herët e tjera, në eventin e fundit ka patur një refuzim që nuk kishte ndodhur më parë.

Agjentët e Shërbimit Informativ janë paraqitur pranë zyrave të FSHP-së për të komunikuar edhe gojarisht refuzimin e 38 sportistëve dhe trajnerëve dhe stafeve të përfaqësueses së Iranit.

Ky ekip kombëtar, nuk është lejuar të pajiset me viza për t’u futur në territorin e Republikës së Shqipërisë. Dhe Irani nuk mori pjesë në kampionatin botëror që u zhvillua në Durrës.

Aktivite të tilla, ku pjesëmarrësit vijnë me shpenzimet e tyre, janë një burim i konsiderueshëm të ardhurash për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, që të mundet më pas të zhvillojë dhe të kontribuojë në përmirësimin e një prej sporteve të traditës sonë.

Konfidencialisht për “Gazetën Si” burime pranë FSHP-së na kanë bërë të ditur, se është tentuar disa herë nga autoritetet që të lejohej ekipi Iranit. Për këtë ka patur një kërkesë nga Federata Botërore e Peshëngritjes, e cila në qytetin e Durrësit gjatë organizimit të Botërorit, zhvilloi edhe mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv.

Por autoritetet e sigurisë në Shqipëri ishin të prera në qëndrimin e tyre, duke i sjellë një humbje prej rreth 60 mijë eurosh buxhetit të këtij aktiviteti, që lidhen me akomodimin, transportin ushqimin dhe gjithçka që i duhet për të qëndruar këtu rreth një javë, apo më shumë një ekipi prej rreth 38 personash.

Tentativat e dështuara për të gjetur një rrugëzgjidhje kanë krijuar një valë të tensionuar komunikimesh mes FSHP-së dhe Federatës Iraniane të Peshëngritjes, e cila ka përfunduar me acarimin e palës iraniane, ku mes të tjerash në emailin e fundit, pasi kanë kuptuar se përpjekjet ishin të kota, shkruanin: “Ju mbeteni një vend komunist…”

Si pasojë, veç Rusisë dhe Bjellorusisë, dy kombëtare të pezulluara nga të gjitha federatat ndërkombëtare sportive për shkak të luftës ndaj Ukrainës, ndërprerja se marrëdhënieve diplomatike të vendit tonë me Iranin, që nga muaji shtator i vitit të shkuar, solli edhe përjashtimin e përfaqësueses së Iranit nga Botërori i Peshëngritjes që u zhvillua në Shqipëri.

Sondazh

Poll