Bota

Vrasja e rojes te Top Channel/ 'Der Standard': Ngjarja shokoi presidentin austriak që po vizitonte Tiranën

Ndërkohë, e përditshmja austriake ‘Der Standard’ shkrua se ngjarja shokoi presidentin austriak, i cili ndodhej gjatë kësaj kohe për vizitë në Tiranë. 

27 Mars 2023, 21:47 Nga a.l

Vrasja e rojes te Top Channel/ 'Der Standard': Ngjarja shokoi

TIRANË- Vrasja e rojes Pal Kola në godinën e Top Channel ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare. Ndërkohë, e përditshmja austriake ‘Der Standard’ shkruan se ngjarja shokoi presidentin austriak, i cili ndodhej gjatë kësaj kohe për vizitë në Tiranë. 

SHKRIMI I PLOTË I 'DER STANDARD' 

Autorë të panjohur qëlluan mbi një godinë televizioni në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, mbrëmjen e së hënës, duke vrarë një roje sigurie. 60-vjeçari ndërroi jetë nga plagët e marra gjatë rrugës për në spital, raportojnë mediat shqiptare duke cituar policinë. Objektivi i sulmit ishte selia e televizionit Top Channel.

Sipas raportimeve, agresorët erdhën me një fuoristradë dhe qëlluan me armë gjysmëautomatike në hyrje të ndërtesës. Roja e sigurisë u qëllua në kabinën e tij. Motivi i aktit të dhunës fillimisht mbetet i paqartë. Autoritetet gjetën rrënojat e djegura të një mjeti të përdorur nga vrasësit.

Top Channel konsiderohet si kanali kryesor televiziv në gjuhën shqipe. Programet e tij transmetohen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovën fqinje, ku jetojnë edhe shqiptarë etnikë. Presidenti austriak, Alexander Van der Bellen, i cili ndodhej për një vizitë në Shqipëri të hënën, u shpreh i shokuar nga sulmi.

“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e armatosur në ndërtesën e një stacioni televiziv të madh shqiptar dhe dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të përzemërta për familjen e rojës së sigurisë që u vra,” tha Van der Bellen gjatë një fjalimi në parlamentin shqiptar. Ai shpreson se motivi i këtij akti të neveritshëm do të sqarohet dhe se autorët do mbajnë përgjegjësi.

Van der Bellen po viziton Tiranën që nga e diela së bashku me ministren e Drejtësisë, Alma Zadiç dhe një delegacion të madh biznesi.

Çfarë ndodhi një natë më parë?

Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00. Persona të paidentifikuar u afruan pranë Top Channel me një automjet tip 'Range Rover' me targa të vjedhura dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi kundrejt ambienteve të televizionit. Një nga plumbat kapi rojen e sigurisë, Pal Kola, 60 vjeç, i cili ndërroi jetë në vend. Autorët u larguan nga vendngjarja, ndërsa mjeti bashkë me dy kallashnikovët u gjetën duke u djegur. Shkaqet e ngjarjes nuk dihen ende.

vritet roja i top channel pal kola

Sondazh

Poll