Art&Argëtim

Aksidenti gjatë skijimit/ Gjyqi i Gwyneth Paltrow, aktorja mohon akuzat: Unë nuk e përplasa, ai më lëndoi

Gjatë gjithë dëshmisë së saj, Paltrow qëndroi e qetë, duke pirë rregullisht ujë dhe madje duke komplimentuar këpucët e avokatit të paditësit gjatë marrjes në pyetje.

25 Mars 2023, 07:30 Nga A.B
Aksidenti gjatë skijimit/ Gjyqi i Gwyneth Paltrow, aktorja mohon akuzat:
Gwyneth Paltrow

SHBA- Aktorja e njohur Gwyneth Paltrow ka mohuar në gjykatë se ajo ishte shkaktuarja e një përplasje me ski në vitin 2016 në Utah, për të cilën njeriu që e paditi thotë se e ka lënë atë me lëndime që i kanë ndryshuar jetën.

Terry Sanderson, tashmë 76 vjeç, thotë se aktorja hollivudiane ishte ajo e cila shkaktoi aksidentin. Ai po kërkon dëmshpërblim prej 300,000 dollarë (244,000 £). Paltrow, ka kundërshtuar, duke thënë se ai është përplasur me të dhe e ka lënë të lënduar, raporton BBC.

Avokatët e Sanderson thonë se Paltrow u shpërqendrua nga fëmijët e saj dhe u largua pas përplasjes.

Sipas padisë së tij civile, Sanderson pësoi një dëmtim të vazhdueshëm të trurit dhe katër brinjë të thyera. Paltrow dëshmoi në gjykatë një ditë më pas, se përplasja e la atë me një dhimbje në gju dhe më pas ajo bëri një masazh.

"Kishte një trup që më shtypte dhe një zhurmë shumë e çuditshme rrënqethëse," tha ajo, duke përshkruar se si Sanderson, dyshohet se u përplas me të nga prapa në Deer Valley në shkurt 2016.

Ajo më vonë sqaroi se nuk po e akuzonte Sanderson për sulm seksual. Fituesja e çmimit Oscar gjithashtu kërkoi falje që i bërtiti pas përplasjes.

“Pas një incidenti të tillë, kur ndihesh i lënduar dhe i dhunuar, fatkeqësisht adrenalina mund të të pushtojë, por edhe emocionet”, tha ajo, duke shpjeguar zemërimin e saj në atë kohë. 

Themeluesja e markës 'Goop' gjithashtu mohoi që fëmijët e saj të kishin shpërqendruar teksa ajo skijonte në resortin luksoz Park City.

Gjatë gjithë dëshmisë së saj, Paltrow qëndroi e qetë, duke pirë rregullisht ujë dhe madje duke komplimentuar këpucët e avokatit të paditësit gjatë marrjes në pyetje.

Avokatët e Paltrow argumentojnë se Sanderson është fajtori për aksidentin.

gwyneth paltrow terry sanderson

Sondazh

Poll