Sport

Napoli kërkon ta ‘lidhë’, do t'i ofrojë Luciano Spallettit një kontratë të re dyvjeçare...

Trajneri italian drejton skuadrën e Napolit drejt fitimit të kampionatit dhe do të luajë edhe në çerekfinale të Champions League

24 Mars 2023, 20:29 Nga DOSJA
Napoli kërkon ta ‘lidhë’, do t'i ofrojë Luciano

ITALI - Napoli po jeton një sezon ëndrrash, duket gati për të ngritur trofeun e ‘Scudettos’ për herë të parë pas 33 vitesh, pasi është +19 pikë nga Lazio që renditet e dytat, 11 ndeshje para fundit të Seria A, ndërkohë që aspiron të arrijë sa më lart në Champions League.

Lëvizshmëria e treguar në ditët e fundit nga drejtuesit e “Partenopeit” për të “lidhur” me një kontratë të re “arkitektin” e kësaj skuadre, Luciano Spalletti, është absolutisht e logjikshme.

Tekniku 64-vjeçar kishte nënshkruar kontratë dyvjeçare në verën e vitit 2021 me Napolin dhe pas pak muajsh do të jetë i lirë.

Por siç raportojnë mediat italiane, i forti i skuadrës së jugut italian, presidenti Aurelio De Laurentiis synon t'i ofrojë atij një kontratë të re dyvjeçare (deri në qershor 2025), me paga të rritura për të vazhduar rrugën e tyre të përbashkët dhe një nga projektet më tërheqëse të futbollit të viteve të fundit në futbollin evropian.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll