Bota

Njohja e Kosovës nga 5 vendet e BE-së, Escobar: Pyetini ata, shpresoj ta bëjnë së shpejti

Ai tha se për këtë pyetje duhet të japin përgjigje këto vende, por shtoi se shpreson që në një të ardhme të afërt, pesëshja e BE-së të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.

21 Mars 2023, 14:52 Nga I.A
Njohja e Kosovës nga 5 vendet e BE-së, Escobar: Pyetini ata, shpresoj
Escobar

KOSOVË- Emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është pyetur për pesë shtetet e BE-së që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Ai tha se për këtë pyetje duhet të japin përgjigje këto vende, por shtoi se shpreson që në një të ardhme të afërt, pesëshja e BE-së të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.

Epo, së pari, çështjen e mosnjohjes nga pesë vende të Bashkimit Europian duhet t’ua drejtoni atyre. Ne shpresojmë që të gjitha vendet e Bashkimit Europian ta njohin Kosovën në të ardhmen e afërt. Është e rëndësishme që Kosova, e cila është pjesë e familjes europiane, të njihet nga pjesa tjetër e familjes europiane”, tha Escobar.

Escobar gjithashtu tha se është e rëndësishme që fqinjët në Ballkanin Perëndimor të njohin njëri-tjetrin.

“Dhe unë besoj se një nga gjërat që duhet të ndodhë në rajon është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të njohin njëri-tjetrin dhe të kenë marrëdhënie paqësore dhe produktive”,tha ai.

Ndërkaq, Escobar dha edhe një koment mbi çështjen e mosnënshkrimit të marrëveshjes së arritur në Ohër.

“Dhe sa i përket nënshkrimit, dua ta sqaroj: ky është një detyrim ligjërisht i detyrueshëm për të cilin është pajtuar Serbia, ashtu sikurse Kosova. Mesazhet rreth nënshkrimit janë me të vërtetë duke u fokusuar në diçka që nuk ka një ndikim material në faktin se ne kemi një marrëveshje. Është një marrëveshje dhe ne po e trajtojmë si të tillë dhe të dyja palët janë angazhuar me seriozitet në të dhe Bashkimi Europian e ka konfirmuar se ishte një marrëveshje në sytë e tyre, ashtu si edhe të dy liderët. Pra është një marrëveshje. Dhe përqendrimi te nënshkrimi është vërtet i panevojshëm, sepse ne – jemi aty; është një marrëveshje. Dhe ne do të vazhdojmë përpara me këtë,” tha Escobar.

gabriel escobar dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll