Sport

VIDEO/ Luftë të ‘Niko Dovana’, por Teuta dhe Vllaznia 'i prishin punë' njera-tjetrës...

Ndeshja në ‘Niko Dovana’ në Durrës, Teuta-Vllaznia është mbyllur në barazim 1-1, ku Mala dhe Kallaku ishin autorë të golave

6 Mars 2023, 18:02 Nga DOSJA

VIDEO/ Luftë të ‘Niko Dovana’, por Teuta dhe Vllaznia

DURRES - Është mbyllur në barazim 1-1 dueli mes Teutës dhe Vllaznisë. Në takimin e zhvilluar në “Niko Dovana” gjithçka do të ndodhte, teksa skuadrat pas 90-minutave ndajnë nga një pikë.

Skuadra e Mirel Josës do ta niste vrullshëm këtë përballje, teksa Mala do të shënonte golin e parë të sfidës në minutën e 14-t.

Kuqeblutë kështu marrin edhe avantazhin, i cili për fatin e tyre të keq nuk zgjat shumë, pasi në të 30-tën Kallaku do të vendoste barazpeshën.

Pjesa e parë do të mbyllej 1-1, ndërsa fraksioni i dytë do të ishte përsëri i luftuar. Në minutat e para të pjesës së dytë miqtë do të gjendeshin në vështirësi nga rastet e njëpasnjëshme të durrsakëve, por këto të fundit nuk shfrytëzojnë dot mundësitë e krijuara.

Si për të konfimuar fatin kundër tyre ishte edhe episodi i minutës së 66-të kur Hamiti akordon penallti për vendasit për prekje të topit në zonë nga Gurishta. Loja ndërpritet pas kontestimeve të shkodranëve dhe pas konfirmimit të VAR-it, anulohet penalltia për durrsakët.

Deri në fund kjo sfidë do të ishte e luftuar, por do të mungonin golat në pjesën e dytë për shkak edhe të pritjeve të portierëve, të cilët në këtë takim herë pas herë morën edhe rolin e shpëtimtarëve.

Një barazim që nuk kënaq asnjërën prej skuadrave. Vllaznia renditet e 4-të me 36 pikë, ndërsa Teuta në ndodhet në vendin e 6-të me 32 pikë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll