Sport

Protestuan kundër qeverisë, drejtësia turke i ndalon tifozët e Fenerbahçes të udhëtojnë për të mbështetur skuadrën në Kayseri…

Vendimi më i fundit është objekt ankimimi në një gjykatë më të lartë, por edhe nëse ankimohet, nuk ka gjasa që çështja të analizohet para të shtunës, ditën e ndeshjes.

3 Mars 2023, 21:01 Nga DOSJA
Protestuan kundër qeverisë, drejtësia turke i ndalon tifozët

TURQI - Këtë të premte, drejtësia turke anuloi një vendim të shpallur të enjten dhe ndaloi edhe një herë tifozët e Fenerbahçes, të merrin pjesë të shtunën në transfertën ndaj Kayserispor, në një ndeshje të ligës turke të futbollit. Vendimi më i fundit është objekt ankimimi në një gjykatë më të lartë, por nëse ankimohet, nuk ka gjasa që të analizohet para të shtunës, ditën e ndeshjes.

Të martën, organi i sigurisë së Kayserit ndaloi praninë e tifozëve të Fenerbahçes, për shkak të protestave të tyre që u zhvilluan në stadium, ku u kërkua dorëheqja e qeverisë, si përgjegjëse për 45.000 njerëzit e vdekur, si pasojë e tërmetit që preku juglindjen e vendit.

Pas një apeli të paraqitur nga Fenerbahçe, një gjykatë administrative në Kayseri, të enjten hoqi ndalimin e vendosur nga Këshilli i Sigurimit, duke lejuar tifozët të merrnin pjesë përsëri.

Protestat në ndeshjen e Fenerbahçes u ndoqën të nesërmen, të dielën, nga mbështetësit rivalë të Besiktas, me mijëra që brohoritën të njëjtat fjalë "qeveri, dorëheqje", në një ndeshje në të cilën ata hodhën mijëra lodra të buta në fushë, për fëmijët e zonave të prekur nga tërmeti.

Si rezultat, disa mbështetës të Besiktas u arrestuan dhe lideri i partisë së aksionit nacionalist, aleati i Erdoganit, bëri thirrje që ndeshjet të zhvillohen pa tifozë nëse protestat vazhdojnë. Kampionati turk kryesohet nga Galatasaray me 54 pikë, e ndjekur nga Fenerbahçe me 48 dhe Besiktas me 40 pikë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll