Politike

"Nuk ka skenar që na ndalon", Meta i bashkohet protestës: PD dhe PL janë më bashkë se kurrë (Mesazhi për aleatët dhe Ramën)

Kreu i PL, tha se kryeministri Edi Rama duhet të kishte dhënë me kohë dorëheqjen.

3 Mars 2023, 12:32 Nga f.g
"Nuk ka skenar që na ndalon", Meta i bashkohet protestës: PD
Ilir Meta, kryetar i PL

TIRANE- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dha disa mesazhe përgjatë rrugës për t'ju bashkuar protestës së opozitës në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Meta tha se protesta lidhet me çështjet kryesore që shqetësojnë qytetarët, ndërsa i pyetur për gjyqin e "vulës", tha se drejtësia ka folur. 

"Pluralizëm demokratik, shtet i së drejtës ky është misioni ynë. Protesta lidhet me çështjet më ekzistenciale dhe për këtë drejtësia ka folur. Vendimi i gjykatësit është publik."-tha Meta. 

Kreu i PL, tha se kryeministri Edi Rama duhet të kishte dhënë me kohë dorëheqjen. "Thirrja ime është për të gjithë qytetarët që të ndërgjegjësohen sepse kjo qeveri bandë është e vendosur të shkelmojë çdo të drejtë të qytetarëve. Kështu që kjo është gjithë sfida. Duhet të ishte dorëhequr me kohë, nuk mund të përdorë pozitën shtetërore për imunitet diplomatik. Duhet të dilte në dispozicion të drejtësisë shqiptare dhe asaj amerikane."-tha Rama. 

I pyetur nga gazetarët sesi do të jetë mënyra që do të veprojë PD në rast se nuk i jepet vula dhe se a e ndikon kjo Partinë e Lirisë, Meta tha se "Nuk ka asnjë skenar që na ndalon. Do të shohim sot a ka më shpresë që të merren vendime të ligjshme."

Në lidhje me ndarjen e opozitës në disa grupe dhe shkëputjen e aleatëve, Meta tha se PD-PL janë bashkë. Kryetari i PL nuk deshi të komentonte as përplasjen mes Shpëtim Idrizit, kryetar i PDIU me PD për kandidatin e Himarës, Fredi Beleri. 

"Opozitë e bashkuar thatë ju po copat e opozitës janë veçmas. PD dhe PL janë më të bashkuara se kurrë dhe i ftojnë të gjithë ata që duan ti dalin kundër regjimit të bashkohen. Nuk jam këtu për tu marrë me kandidatë të caktuar, vëmendja ime shkon kryesisht në 3 qendrat e vendit, Tiranë Durrës dhe Elbasan. Në këto 3 kryeqendra, opozita ka bërë zgjedhje perfekte."-tha Meta./Dosja.al

ilir meta protesta e opozites 3 mars 2023

Sondazh

Poll