Sport

Paul Pogba dhe pagat mujore, të humbura në Turqi për shkak të... kripto-valutës!

Çfarë lidhje ka Paul Pogba me korrierin e Stambollit, Berat Kurnaz? Punonjësi turk flet për vendimin fatal që mori pas videos së yllit francez!

1 Mars 2023, 18:53 Nga DOSJA

Paul Pogba dhe pagat mujore, të humbura në Turqi për shkak

TURQI - Jashtë një kafeneje në rrugët e ngarkuara të Stambollit, 26-vjeçari Berat Kurnaz mendon vendimin më të keq të jetës së tij, humbjen e pagës së tre muajve nga një skemë investimi, e promovuar nga një prej futbollistëve më të famshëm në botë. 

“Nuk mund të blej asgjë. Nuk mund të bëj asgjë. Unë thjesht punoj, punoj, punoj,”-  thotë Kurnaz, i cili është në borxhe, jeton me prindërit e tij dhe punon gjatë gjithë kohës. “Kur nuk ke para, humbet më shumë para. Nuk mund të mendosh drejt”,- thekson ai për  Athletic.

Turqia është në krizë, pas tërmeteve që kanë marrë tashmë më shumë se 40 mijë jetë. Në të njëjtën kohë, ajo është në trazira ekonomike me rritjen e inflacionit. Paratë e mbetura në bankë bien shpejt në vlerë, duke bërë që shumë njerëz të kërkojnë investime të rrezikshme, që supozohet se ofrojnë norma fitimprurëse.

Vitin e kaluar, kushëriri i Kournaz iu afrua atij me një ide të pazakontë, për të blerë një NFT (Non-Fungible Token - një certifikatë dixhitale e pronësisë intelektuale), e cila u promovua nga Paul Pogba. Mesfushori i Juventusit, i cili vetëm dje u rikthye në lojë pas dëmtimit të rëndë, është ndër lojtarët me më shumë ndjekës në rrjetet sociale, me 57 milionë ndjekës në Instagram dhe 10 milionë në Twitter. 

Tweet-i që promovonte skemën Cryptodragons, i parë nga kushëriri i Kournaz, kishte hashtag-un '#ad', duke sugjeruar që Pogba ishte paguar për shërbimin.

Kurnaz mori hua rreth 2.000 dollarë nga një bankë për të investuar në Cryptodragons, megjithatë zgjedhja e tij rezultoi fatale, pasi ai humbi të gjitha… Vlera e tij ka rënë si kriptovalutat  Bitcoin dhe Ethereum. Me 600 dollarë në muaj nga puna e tij si korrier, ky ishte një vendim që shkatërroi jetën.

Atij i pëlqente të dilte për pije me miqtë dhe të bënte udhëtime të herëpashershme jashtë  Stambollit me motoçikletën e tij, por tani punon me kohë të plotë për të shlyer këto dhe borxhe të tjera, duke qëndruar brenda dhe duke luajtur lojëra kompjuterike në kohën e lirë.

“Arsyeja kryesore që investuam ishte... Pogba. Nuk ishte sikur dikush që po e imitonte atë në internet, ai në fakt po bënte video për të promovuar këtë produkt,"- tha Kurnaz.

Paul Pogba dhe pagat mujore, të humbura në Turqi për shkak

Pogba nuk është i vetmi futbollist që ka promovuar skema katastrofike NFT. Yjet e Premier League si John Terry, Andy Robertson dhe Luke Shaw, kanë promovuar të gjithë projekte të ngjashme në mediat sociale. Duke pasur parasysh statusin e tyre të superyllit, miratimet e këtyre lojtarëve kanë ndihmuar në nxitjen e NFT-ve në një audiencë globale dhe ata duket se janë paguar për pjesëmarrjen e tyre.

NFT-të Cryptodragon u "minuan" për herë të pare, u vunë në shitje, më 7 nëntor 2021, javën që Ethereum, tokeni i kriptomonedhës në të cilin u blenë NFT-të, arriti kulmin në afro 5.000 dollarë.

Një vezë "legjendare" vlerësohej me 35 Ethereum, me vlerë rreth 168.000 dollarë në atë kohë. Pogba aludoi për këtë në videon e tij origjinale, duke folur se si projekti kishte vendosur "rekord botëror për shitje fillestare në më pak se dhjetë sekonda".

Në një video tjetër, ai tha se ishte "shumë i emocionuar" për marrjen e disa vezëve të dragoit. Në fund të vitit 2021 dhe në fillim të 2022, miliona dollarë u shpenzuan për këto NFT, por tani ato janë të pavlefshme.

Ka një numër të madh të këtyre njerëzve që kanë humbur nga programet e lidhura me futbollin, dhe Athletic ka kontaktuar me dhjetëra, por ata në përgjithësi janë të rezervuar për të folur publikisht. Shumë flasin për turpin dhe poshtërimin e humbjes së shumave të mëdha parash për diçka që duket kaq e çuditshme. Ata nuk duan që familja dhe miqtë e tyre ta dinë.

Kurmaz, megjithatë, është i lumtur të flasë dhe të përdorë emrin e tij të vërtetë. Ai ka filozofuar për gabimin e madh që ka bërë. "Dua të ndihmoj botën,"- thotë ai, duke folur pranë stadiumit të Besiktas. “Nuk ka asgjë të turpshme për këtë. Unë thjesht bëra. Kjo më ndodhi mua”.

Historia e tij ka gjithashtu një dimension prekës personal, sepse kushëriri i tij i tha atij për markën. Por Kurmaz nuk fajëson të afërmin e tij, duke thënë se njerëzit në të gjithë  Turqinë humbasin para nga skema të ngjashme, ndërsa ëndërrojnë për një jetë më të mirë.

“Kushëriri im më paralajmëroi për këtë. Më tha se kishte disa rreziqe, por unë rrezikova”,- thotë ai. Për investimin e paralajmëruan edhe prindërit e tij. "Ata kanë përvojë jetësore,"- thotë ai. "Kështu që ata e dinë se nëse ndjek paratë e lehta, do të humbasësh dhe është e vërtetë."

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll