Sport

Kupa e Shqipërisë/ Tirana “pret biletën” për në gjysmëfinale, Egnatia dhe Laçi gjithçka e lenë për në takimin e kthimit...

Bardheblutë fituan 4-1, duke e bërë takimin e kthimit thuajse një formalitet, ndërsa Egnatia dhe Laçi, pas barazimit 0-0, gjithçka do ta përcaktojnë pas dy javësh në Kurbin

28 Shkurt 2023, 15:55 Nga DOSJA
Kupa e Shqipërisë/ Tirana “pret biletën” për

TIRANE - Janë luajtur dy takimet e para çerekfinalet të Kupës së 71-të të Republikës. Bardheblutë e Tiranës fituan 4-1 ndaj Kastriotit në Kamëz, ndërsa Egnatia dhe Laçi u ndanë një një barazim 0-0 në “Egnatia Arena” të Rrogozhinës.

Kampionët e Tiranës kanë hedhur një hap të rëndësishëm për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë mundën me përmbysje Kastriotin në Kamzë, duke hedhur një hap të sigurtë për kalimin në gjysmëfinale. Krutanët rezistuan vetëm 45 minutat e para, duke e mbajtur portën e paprekur, ndërsa në pjesën e dytë, Patrick (47’ dhe 49’) shënoi shpejt dy here, duke i bërë gjërat e thjeshta për ekipin kryeqytetas.

Santiago Selmani (57’) ngushtoi diferencat, por më pas Berisha (58’) dhe Nikqi (72’) shënuan dhe dy gola të tjerë për të fiksuar rezultatin përfundimtar 4-1, që e kthen ndeshjen e kthimit në një formalitet për Tiranën që do i duhet vetëm të menaxhojë këtë sukses në takimin e pas dy javëve.

Në barazim pa gola, u ndanë Egnatia dhe Laçi në Rrogozhinë, teksa prodhuan një ndeshje me raste, por pa fitues. Laçi rrezikoi që në fillimin e ndeshjes me Zikon, por Atanda largoi topin me kokë shumë pranë vijës fatale. E njëjta situatë u përsërit dhe në të 23-ën, këtë herë Mazrekaj provoi nga distance, por ishte sërish Atanda që me kokë bëri heroin, duke mbajtur portën e paprkekur.

Egnatia ngacmoi në fillimin e pjesës së dytë me Xhekson, por Selmani bëri një pritje të bukur. Në vijimin e lojës të dyja ekipet u treguan të kujdesshme, duke mos rrezikuar për t’u ndëshkuar për t’i lënë llogaritë e kualifikimit në ndeshjen e kthimit që do të luhet në mesin e muajit mars në stadiumin e Laçit.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll