Aktualitet

Aksidenti në Kroaci, drejtori i spitalit: Një grua e moshuar është në rrezik për jetën

Index.hr shkruan se Drejtori i spitalit Ogulin, Davor Vukelja tha se një paciente e moshuar është në rrezik për jetën dhe prognoza për gjendjen e saj është e rëndë. 

26 Shkurt 2023, 11:51 Nga I.A
Aksidenti në Kroaci, drejtori i spitalit: Një grua e moshuar
Autobusi i aksidentuar

KROACI- Aksidenti i autobusit shqiptar në Kroaci ka lënë 1 të vdekur dhe 9 persona të plagosur. Index.hr shkruan se Drejtori i spitalit Ogulin, Davor Vukelja tha se një paciente e moshuar është në rrezik për jetën dhe prognoza për gjendjen e saj është e rëndë. 

Të rënda janë edhe lëndimet e dy pasagjerëve, të cilët ndodhen në repartin e kirurgjisë, por gjendja e tyre është më e mirë, ndërsa personi i katërt që po trajtohet prej tyre është një grua më e re, e cila ka pësuar lëndime të lehta.

"Kemi pranuar katër pacientë, tre prej tyre në gjendje të rëndë, një person i plagosur lehtë. Nga tre të plagosurit rëndë, një person, një e moshuar është në gjendje kritike për jetën, do të shohim se çfarë do të ndodhë në orët në vijim. Një tjetër person ndodhet në reanimacion, ndërsa dy të tjerët në repartin kirurgjik për vëzhgim. Ata po shërohen mirë," tha Vukelja.

Nga aksidenti në spitalin e Karllovacit janë pesë pacientë, të gjithë janë stabil. Siç ka thënë, drejtoresha e spitalit Ivana Kovaçiç, gjatë vizitës së mëngjesit është konstatuar se gjendja e askujt nuk është përkeqësuar. Të pesë janë shtetas shqiptarë, të gjithë mbi 50 vjeç.

"Tre kanë lëndime të rënda fizike, njëri prej tyre pak më i rëndë, por të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën, nuk ka pasur nevojë për monitorim intensiv. Në repart ndodhen edhe dy persona me lëndime të lehta. Të gjithë janë të moshës së mesme," tha Kovaçiç.

 

davor vukelja ivana kovaçiç aksidentohet autobusi shqiptar ne kroaci

Sondazh

Poll