Politike

Ari që mbreti Zog mori pasi u largua nga Shqipëria, drejtori i Arkivave: Ne publikuam një dokument, u takon historianëve ta vërtetojnë

Bido tha se u takon historianëve për të zbuluar vërtetësinë e këtij dokumenti.

21 Shkurt 2023, 22:09 Nga F.M
Ari që mbreti Zog mori pasi u largua nga Shqipëria, drejtori i
Ardit Bido

TIRANË- Ardit Bido, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave ka deklaruar se ky institucion nuk bën interpretim të dokumenteve, por vetëm i publikon ato, referuar letrave të dala së fundmi që akuzojnë mbretin Ahmet Zogu për grabitjen e floririt në vendin tonë. I ftuar në "Open", Bido tha se u takon historianëve për të zbuluar vërtetësinë e këtij dokumenti.

“DPA nuk bën interpretim të dokumenteve, nuk thotë dot për besueshmërinë, ua lë historianëve këtë. Kur vjen fjala tek interpretimi, bëhet në bazë të një mori dokumentesh. Italia fashiste dhe qeveria e Tiranës, menjëherë fillon dhe bën gjueti për të evidentuar problematika në lidhje me mbretin Zog, sepse dëshironte të legjitimonte atë që ndodhi, kalimi i kurorës mbretërore tek Viktor Emanueli, dhe më së shumti fokusohej tek tentativa që kishte një grabitje nga mbreti. Për këtë arsye zhvillohet një hetim. Nuk di të them nëse kjo letër është pjesë e hetimit. Ne dinim se ishin 158 kg ar, ndërkohë që sipas këtij dokumenti rezulton të jetë shumë më shumë. Ka disa raportime në lidhje me pasurinë që kishte mbreti në mërgim”, u shpreh ai.

Si qëndron puna me këto dokumente?

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar dy dokumente që tregojnë se sasia e arit që ka marrë mbreti Zog kur u largua nga Shqipëria më 1939 dhe sipas tyre, është shumë herë më i madh sesa dihej deri më tani. Në dokumentin e firmosur nga Gjon Lusha thuhet se më datë 8 prill 1939 Mbreti Zog ka kaluar kufirin me Greqinë dhe gjatë kontrollit i janë gjetur: 250.000 napolona ari të mbretit Zog; 60.000 të Abdurrahman Mati; 40.000 të Gjeneral dhe 40.000 të Aranitil Ministrit Musa Juka.

Princ Leka ka reaguar dhe është shprehur se fakti që dokumenti ruhet në Arkivin e Shtetit, nuk i jep atij asnjë vlere të shtuar dokumentare, për aq kohë sa nuk mbeshtetet në pohime dokumentare të tjera, të verifikueshme dhe të kryqëzuara. Sipas tij, vendi ka nevojë për ndershmëri intelektuale dhe pedagogji të mirëfilltë në shkrimin dhe transmetimin e historisë.

ardit bido floriri i mbretit zog

Sondazh

Poll