Sport

Superiorja/ Vllaznisë gjen fitoren që e ngjit në vendin e dytë, Teuta nuk e fal Bylisin dhe kalon ‘kufirin’ e mbijetesës…

Mbyllet java e 20-të e Abissnet Superiores: Vllaznia fiton 2-0 ndaj Kukësit, ndërsa Teutës i mjaftoi një gol për të fituar ndaj Bylisit

7 Shkurt 2023, 18:33 Nga DOSJA

Superiorja/ Vllaznisë gjen fitoren që e ngjit në vendin e

TIRANE - Pasdite, u luajtën edhe dy takimet e mbetura të javës së 20-të Abissnet Superiores. Pas dy humbjeve radhazi, Vllaznia rikthehet te fitorja dhe këtë e bën në “Loro Boriçi” ndaj Kukësit. Kuqeblutë mposhtën verilindorët me rezultatin e pastër 2-0, duke mos i vendosur tre pikët në diskutim, teksa autorët e golave ishin Herald Marku dhe Fjoart Jonuzi.

Goli i parë i shënuar nga mesfushori erdhi në minutën e 20-të, teksa Marku lëvizi bukur në krahun e djathtë dhe nga një kënd i vështirë, mposhti portierin Halimi. Ky i fundit u bë protagonist edhe në rastin e golit të dytë, teksa në minutën e 45-të gaboi tërësisht në goditjen e Jonuzit nga distance, me topin që i shpëtoi nga duart.

Në fraksionin e dytë të lojës, shkodranët menaxhuan avantazhin dhe në fund morën tre pikë tejet të rëndësishme, pasi tashmë ngjiten në vendin e dytë në kuotën e 31 pikëve, gjashtë më pak se Tirana kryesuese, ndërkohë që në javën e ardhshme përplasen pikërisht me bardheblutë në “Loro Boriçi”. Nga ana tjetër, Kukësi mbetet në një situatë kritike teksa renditet në vendin e nëntë me 22 pikë.

Superiorja/ Vllaznisë gjen fitoren që e ngjit në vendin e

Në ndeshjen tjetër, Teuta ia doli në shtëpi përballë Bylisit. Në stadiumin “Niko Dovana”, skuadrës së “Djemve të Detit” iu mjaftoi një gol i Jurgen Goxhës në pjesën e dytë të lojës. Mbrojtësi që u afrua në merkaton e janarit te Teuta, u shfaq vendimtar në minutën e 78-të, teksa e devijoi topin saktë me kokë në portën e mbrojtur nga ana e Teqjes, duke ndëshkuar kështu ish-skuadrën e tij. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe Teuta shkon në kuotën e 24 pikëve në vend të shtatë, ndërsa Bylis është i teti me 23 pikë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll