Bota

Shefi i OKB-së: Bota po shkon drejt një lufte më të madhe se konflikti Ukrainë-Rusi, Ora e Ditës së Kijametit ka ardhur, duhet transformim rrënjësor (Ultimatumi)

Guterres vuri në dukje se shkencëtarët dhe ekspertët më të mirë të sigurisë e kishin zhvendosur "Orën e Ditës së Kijametit" në vetëm 90 sekonda mesnatën e muajit të kaluar, referuar natës së ndërrimit të viteve. Ai tha se të gjitha këto sfida që po ndodhin janë një shenjë paralajmëruese.

6 Shkurt 2023, 19:02 Nga F.M
Shefi i OKB-së: Bota po shkon drejt një lufte më të madhe se
Antonio Guterres

SHBA- Shefi i OKB-së Antonio Guterres deklaroi se ka frikë se lufta Rusi-Ukrainë do të përshkallëzohet akoma më tej dhe se bota po shkon drejt një konflikti më të gjerë. Në një fjalim të cilësuar si i zymtë nga France24, Sekretari i Përgjithshëm përshkroi prioritetet e tij për vitin 2023 dhe u fokusua në pushtimin e Ukrainës, krizën klimatike dhe varfërinë ekstreme.

"Ne e kemi filluar vitin 2023 me një grumbull sfidash të ndryshme në jetët tona,"- u tha ai diplomatëve në Nju Jork.

Guterres vuri në dukje se shkencëtarët dhe ekspertët më të mirë të sigurisë e kishin zhvendosur "Orën e Ditës së Kijametit" në vetëm 90 sekonda mesnatën e muajit të kaluar, referuar natës së ndërrimit të viteve. Ai tha se të gjitha këto sfida që po ndodhin janë një shenjë paralajmëruese.

"Ne duhet të zgjohemi dhe të shkojmë në punë,”- tha ai me tone lutjeje, ndërsa renditi çështjet urgjente.

Në krye të listës ishte lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila po i afrohet 1-vjetorit të saj.

"Perspektivat për paqen vazhdojnë të zvogëlohen. Shanset për përshkallëzim të mëtejshëm dhe gjakderdhje vazhdojnë të rriten," tha ai.

"Kam frikë se bota nuk po ecën në gjumë në një luftë më të gjerë. Kam frikë se po e bën këtë me sytë e saj të hapur,”- shtoi Guterres.

Guterres iu referua kërcënimeve të tjera për paqen, nga konflikti izraelito-palestinez në Afganistan, Myanmar, Sahel dhe Haiti.

"Nëse çdo vend do të përmbushte detyrimet e tij sipas Kartës (OKB), e drejta për paqe do të garantohej,"- tha ai.

Ai shtoi se është koha për të transformuar qasjen ndaj paqes duke u përkushtuar sërish ndaj Kartës, duke vënë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin në radhë të parë, si dhe duke pasur gjithmonë në mendje parandalimin e gjërave.

Më gjerësisht, Guterres denoncoi mungesën e "vizionit strategjik" dhe një "paragjykim" të vendimmarrësve politikë.

"Manovra taktike politike për t'u kapur pas pushtetit. Por gjithashtu cikli i biznesit apo edhe çmimi i aksioneve të ditës së ardhshme. Ky mendim afatshkurtër nuk është vetëm thellësisht i papërgjegjshëm, por është imoral," shtoi ai.

Duke theksuar nevojën për të vepruar me gjeneratat e ardhshme në mendje, Sekretari i Përgjithshëm përsëriti thirrjen e tij për një "transformim rrënjësor" të financave globale.

"Diçka është thelbësisht e gabuar me sistemin tonë ekonomik dhe financiar," tha Guterres, duke e fajësuar atë për rritjen e varfërisë dhe urisë, hendekun në rritje midis të pasurve dhe të varfërve si dhe barrën e borxhit të vendeve në zhvillim.

“Pa reforma themelore, vendet dhe individët më të pasur do të vazhdojnë të grumbullojnë pasuri, duke lënë thërrime për komunitetet dhe vendet e tjera”, shtoi ai.

Programi i OKB-së për Zhvillim vlerëson se bota është kthyer pesë vjet pas për sa i përket zhvillimit njerëzor, duke përfshirë shëndetin, arsimin dhe standardet e jetesës.

“Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së po zhduken,”- tha Guterres.

17 objektivat e vendosura në 2015 synojnë eliminimin e varfërisë, sigurimin e ushqimit për të gjithë dhe aksesin në energji të pastër dhe të përballueshme deri në vitin 2030.

"Ne kemi mundësi para nesh për t'i shpëtuar ata", tha Guterres, i cili po organizon një samit mbi këtë temë në Nju Jork në shtator.

Lufta kundër ngrohjes globale dhe “ambicies klimatike” do të jetë në qendër të një samiti tjetër në shtator, ku ai ftoi liderët botërorë, por me një kusht.

"Na tregoni veprimet e përshpejtuara në këtë dekadë dhe planet e rinovuara ose ju lutem mos hajdeni,"- tha ai, përpara se të sulmonte përsëri prodhuesit e karburanteve fosile.

"Nëse nuk mund të vendosni një kurs të besueshëm për neto-zero, me objektivat 2025 dhe 2030 që mbulojnë të gjitha operacionet tuaja, nuk duhet të jeni në biznes,”- përfundoi Guterres.

antonio guterres

Sondazh

Poll