Politike

Berisha: Revolucion nëse PD nuk regjistrohet në zgjedhje, nuk futemi me logon e PL

Ndër të tjera në fjalën e tij, numri një i Partisë Demokratike theksoi se PD do të shkojë e vetme në zgjedhje, pa Partinë e Lirisë.

2 Shkurt 2023, 23:45 Nga k.m.
Berisha: Revolucion nëse PD nuk regjistrohet në zgjedhje, nuk futemi
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur lidhur me betejën në Gjykatë për selinë blu. Në fjalën e tij gjatë emisionit "Opinion", Berisha tha se në zgjedhjet e 14 Majit do të shkojë Partia Demokratike e Shqipërisë. Ndër të tjera në fjalën e tij, numri një i Partisë Demokratike theksoi se PD do të shkojë e vetme në zgjedhje, pa Partinë e Lirisë.

PJESË NGA INTERVISTA: 

Blendi Fevziu: Zoti Berisha, kush do marrë pjesë në zgjedhje?

Sali Berisha: Do marrë Partia Demokratike e Shqipërisë. Ajo që dihet që është.

Blendi Fevziu: Po nëse ata pyesin gjykatën, kush është regjistruar, në gjykatë është Lulzim Basha, nuk është as Alibeaj…

Sali Berisha: Ne nuk kemi punë tani me gjykatë, nuk kemi punë me askënd tjetër, direkt me Edi Ramën. Ai mendon se mund të na përjashtojë nga zgjedhjet.

Blendi Fevziu: Po si do ia bëni, do hyni bashkë me LSI-në (Partia e Lirisë)?

Sali Berisha: Me asnjeri nuk marrim pjesë ne.

Blendi Fevziu: Do hyni me logon PD?

Sali Berisha: Ne marrim pjesë ashtu siç na e ka regjistruar gjykata. Dhe këtë do ia faktojmë Edi Ramës, të jesh i bindur.

Blendi Fevziu: Me logon PD do hyni në zgjedhje? E sigurt që nuk hyni me Partinë e Lirisë?

Sali Berisha: Absolutisht jo. Asnjë parti tjetër.

Blendi Fevziu: Do hyni me logon PD?

Alba Alishani: Po koalicioni me Partinë e Lirisë?

Blendi Fevziu: Koalicioni Partia e Lirisë është skema e 6 Marsit, është bërë sepse nuk kishte vendim gjykate. Ajo skemë është aplikuar sepse nuk kishim vendimin e gjykatës. Pas vendimit të gjykatës ne kemi të bëjmë vetëm me një person, me një armik që kërkon me çdokush në emër të urrejtjes atërore, mos harrojmë që ai është nipi i Spiro Kolekës, që kërkonte të fuste mitralozët në 90-ën. Është djali i atij që vari kundërshtarin politik në 88. Dhe ky mendon të hakmerret tani. Absolutisht do t’i japim atë përgjigje që meriton pa asnjë hezitim.

Blendi Fevziu: Çfarë do i bëni nëse nuk ju fusin në zgjedhje?

Sali Berisha: Ka një revolucion në zhvillim.

Blendi Fevziu: Çfarë revolucioni?

Sali Berisha: Revolucion për të mbrojtur demokracinë dhe pluralizmin.

Blendi Fevziu: Çfarë revolucioni do bëni zoti Berisha, do shkoni para Kryeministrisë, do brohorisni, do shkoni në shtëpi.

Sali Berisha: Çfarë do bëjmë, ato janë çështje të revolucionit.

Blendi Fevziu: Po ju do bëni revolucion, apo do bëni zgjedhje? Se keni zgjedhje më 14 Maj.

Sali Berisha: Do bëjmë revolucion që të bëjmë zgjedhje. Do bëjmë zgjedhje me çdo kusht.

Blendi Fevziu: Revolucion para zgjedhjeve? Para datës 14 Maj?

Sali Berisha: Jo dhe njëherë, revolucioni është revolucion. Protesta, revolta, mosbindje civile…/tvklan.al

sali berisha

Sondazh

Poll