Aktualitet

Kryebashkiaku Qerim Ismailaj dënohet me 6 muaj burg nga GJKKO, i konvertohen në 40 punë publike, kryebashkiaku: S'do e jap dorëheqjen

Vetë Ismailaj ka thënë për dhënies së vendimit se këtë betejë ligjore do ta ndjek në shkallët e tjera të gjykimit.

2 Shkurt 2023, 11:51 Nga F.M
Kryebashkiaku Qerim Ismailaj dënohet me 6 muaj burg nga GJKKO, i
Qerim Ismailaj në GJKKO

TIRANË- Kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj është dënuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me 6 muaj burg për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Por ky dënim i dhënë nga GJKKO është konvertuar në 40 orë punë publike. Vetë Ismailaj ka thënë për dhënies së vendimit se këtë betejë ligjore do ta ndjek në shkallët e tjera të gjykimit.

“Në fund fare u dha 40 orë punë publike. Duke qenë i bindur në pafajësinë time të plotë por edhe duke ndjekur të gjitha procedurat do vazhdoj betejën në të gjitha shkallët e drejtësisë. S’do jap dorëheqjen nga mandati,” tha Ismailaj.

Vendimi i GJKKO-së:

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me:

GJYQTARE – Irena GJOKA Asistuar nga sekretare gjyqësore Bora TOTOLAKU, sot, në Tiranë, më datë 02.02.2023, në seancë gjyqësore, mori në shqyrtim çështjen penale nr.35/112 Regjistri, datë 05.10.2022 regjistrimi, me: KËRKUES: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e përfaqësuar nga prokurori Adnan Xholi. I PANDEHUR: Qerim Ismailaj, i biri i Ismail-it dhe i Yllnore-s, i datëlindjes 17.05.1974, lindur në fshatin Çorush, Mallakastër dhe banues në fshatin Anëbreg, Nr.076, H.0. Ap.00, Kutë, Mallakstër, me gjëndje civile i martuar, me
gjëndje gjyqësore i padënuar, me arsim të lartë, me shtetësi shqiptare, mbrojtur në gjykim nga ana e av.Andi Skënderi, antëtar i Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë. AKUZUAR: Për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal. Gjykata, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pasi dëgjoi palët në konkluzionet përfundimtare dhe vlerësoi çështjen në tërësi, bazuar në nenet 112 pika 1 dhe 2, 379 pika 1, 384, 390 pika 1, 393 pika 2, 406/1, 415 pika 1 dhe 422 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale
VENDOSI:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Qerim Ismailaj për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 6 (gjashtë) muaj burgim.
2.Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin përfundimtar të të pandehurit Qerim Ismailaj me 4 (katër) muaj burgim.
3. Në aplikim të nenit 63 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin Qerim Ismailaj dhe detyrimin për kryerjen e një pune në interes publik, pa shpërblim, për një kohë prej 40 (dyzet) orësh, e cila do të përmbushet brenda afatit prej 6 muajsh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës.
4. Kundër vendimit, lejohet ankim nga palët, brenda 15 (pesë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit. U shpall në Tiranë, sot me datë 02.02.2023.

Si nisi hetimi?

SPAK nisi hetimet për kryebashkiakuan socialist nëntorin e kaluar, pas denoncimit të Partisë Demokatike e cila akuzonte se ai kishte fshehur një dënim me 3 vite burg në Greqi dhe nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Flitet për një ngjarje të ndodhur në vitin 1999, ku Ismailiaj ishte përfshirë në rrahjen e një personi në shtetin fqinj. Dënimi i dhënë nga autoritetet greke ishte vërtetuar më herët nga Prokuroria e Përgjithshme sektori i dekriminalizimit. Avokati i Ismailit, Andi Skenderi, kërkoi pushimin e hetimeve duke argumentuar se klienti i tij nuk ka pasur dijeni për hetimet në Greqi dhe se ai ka qenë viktimë e konfliktit që ka ndodhur.

qerim ismailaj

Sondazh

Poll