Bota

Eksperti britanik: Vuçiç kërkon ta destabilizojë Ballkanin, Kosova nuk mund të bëjë kompromis me shtetësinë e saj

Smith thotë se Vuçiç e përdor konfliktin me Kosovën për të hequr vëmendjen nga problemet e qytetarëve serbë. 

1 Shkurt 2023, 12:28 Nga f.g
Eksperti britanik: Vuçiç kërkon ta destabilizojë
Aleksander Vuçiç

BEOGRAD- Daniel Smith, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare ka komentuar situatën politike në Ballkan ku thotë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç është duke u përpjekur për të destabilizuar Ballkanin. Në një intervistë për median serbe, "Danas", Smith thotë se Vuçiç e përdor konfliktin me Kosovën për të hequr vëmendjen nga problemet e qytetarëve serbë.

“Ai përpiqet të destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin, për të përfituar edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja. Derisa të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke, ai do të shkaktojë sërish tensione që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin”, shtoi Smith, ndërsa tha se Serbia duhet ta njohë Kosovën jo për kompromis por realitet. 

“Vuçiçi dhe elitat politike në Serbi nuk u shkëputën nga mentaliteti i Millosheviçit, ata kontaminuan opinionin publik në Serbi me tema të nacionalizmit, urrejtjes për të tjerët dhe kundër vlerave perëndimore”, thotë Smith. “Në këtë kontekst, për një të huaj që nuk e njeh mirë politikën serbe, arritja e një marrëveshjeje me Kosovën dhe një kompromis nga Serbia mund të duket e vështirë. Nëpërmjet strategjisë ‘përshkallëzim deri në deeskalim’, Vuçiç po përpiqet ta destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin, për të përfituar edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja. Rrjedhimisht, derisa të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke, Vuçiç do të shkaktojë sërish tensione që kërcënojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Vuçiç duhet ta kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi, por njohje e realitetit, për të cilin vetë Vuçiç është i vetëdijshëm. Njohja e pavarësisë së Vojvodinës mund të quhet kompromis për Serbinë, për integrimin e saj në BE; autonomia për Sanxhakun apo Luginën e Preshevës, por jo pranimi i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, të cilin e ka kërkuar vetë Serbia”, shton ai.

I pyetur për Asociacionin e komunave serbe, Smith thotë se Kosova nuk mund të bëjë një kompromis me shtertësinë e saj. 

“Historia ka vërtetuar se entitete si Republika Srpska janë të rrezikshme për stabilitetin e shteteve multietnike, stabilitetin rajonal dhe mund të shërbejnë si një mjet për Serbinë dhe Rusinë për të destabilizuar Ballkanin. Kosova është një rast i veçantë i ofrimit të gamës më të gjerë të të drejtave dhe lirive për pakicat në Evropë dhe në botë. Këto të drejta të garantuara merren si të mirëqena. Ajo që është evidente është se Vuçiqi dhe Serbia nuk janë të interesuar për të drejtat e serbëve në Kosovë, sepse realizimi i këtyre të drejtave do t’i çlironte serbët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës nga regjimi i Vuçiçit. Vuçiç është i interesuar t’i përdorë serbët e Kosovës si skllevër të tij personal për ta forcuar nacionalizmin, për vota e për të qëndruar në pushtet dhe si pengje të presionit ndaj bashkësisë ndërkombëtare”.-ka thënë ai. /Dosja.al

aleksander vucic daniel smith

Sondazh

Poll