Sport

Superiorja/ Shtatë ‘mrekulli’ futbolli në Kurbin, Laçi përmbys me ‘poker’ Teutën…

Bardhezinjtë e Laçit e nisin me fitore fazën e tretë, ata e mundin 4-3 Teutën, të cilën e kanë mposhtur edhe në startin e kampionatit

30 Janar 2023, 16:38 Nga DOSJA
Superiorja/ Shtatë ‘mrekulli’ futbolli në Kurbin,

KURBIN - Bardhezinjtë e Laçit fituan 4-3 me Teutën në Kurbin, në një sfidë për javën e 19-të kampionatit, e cila prodhoi emocione të shumta. Ndeshja nisi shumë mirë për Teutën, që kaloi në avantazh të dyfishtë falë golave të Lorenco Vilës (12’) dhe Sherif Kallakut me penallti (16’).

Reagimi i kurbinasve ishte i menjëhershëm, të cilët rikthyen barazpeshën brenda pak minutave. Adeleke Akinyemi (22′) shkurtoi diferencën pas asistit të Michel Babatundes, ndërkohë që ky i fundit, barazoi rezultatin dy minuta më vonë me një goditje të bukur, duke gjetur golin e parë në Superiore me Laçin.

Pas pushimit traversa i mohoi golin Isi Manellarit (50’), por goli i tretë për Laçin nuk vonoi. Ishte Serxho Ujka (68’) ai që kompletoi përmbysjen e e rezultatit për vendasit, ndërkohë që Adeleke Akinyemi (74’) realizoi golin e dytë personal.

Ildi Gruda (90’) shkurtoi rezultatin në minutën e fundit, por vetëm kaq. Në fund pati festë kurbinase, me bardhezinjtë që janë ngjitur në kuotën e 26 pikëve. Sakaq, Teuta regjistroi disfatën e parë për vitin 2023 dhe mbetet në vendin e parafundit me 21 pikë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll