Politike

Kokalari: Këlliçi manipuloi emrat për Këshillin Kombëtar. PD: Proces transparent, lista u plotësua sipas kuotave e votave

Komisioni Qendror i Numërimit thotë se i gjithë procesi i numërimit të votave ka qenë transparent dhe ka qenë gjatë gjithë kohës online në kanalin zyrtar të ish-kryeministrit Sali Berisha në Youtube.

22 Janar 2023, 15:59 Nga F.M
Kokalari: Këlliçi manipuloi emrat për Këshillin
Sali Berisha dhe Evi Kokalari

TIRANË- Aktivistja Evi Kokalari ka hedhur akuza në lidhje me votimit të Këshillit Kombëtar. Në një postim të bërë më datë 20, Kokalari ka publikuar një listë, krah të cilës shkruan se disa emra janë hequr, pavarësisht se duhej të ishin futur në bazë të votave që kishin marrë. Sipas Kokalarit, qëllimi ka qenë që të vendoseshin emra që janë mbështetës të Këlliçit, në mënyrë që ta votonin në garën për primaret.

Sot, Partia Demokratike u është përgjigjur akuzave. Përmes një deklarate, Komisioni Qendror i Numërimit thotë se i gjithë procesi i numërimit të votave ka qenë transparent dhe ka qenë gjatë gjithë kohës online në kanalin zyrtar të ish-kryeministrit Sali Berisha në Youtube.

Komisioni shpjegon se sipas statutit, lista e anëtarëve të Këshillit Kombëtar fillimisht duhet të plotësohet me kuota e përcaktuar në statut, me 45 gratë më votuara dhe me 23 të rinj nën 35 vjeç të cilët janë më të votuarit, ndaj dhe janë bërë lëvizjet, të cilat Kokalari i konsideron të qëllimshme.

Postimi i Evi Kokalarit: 

FAKTE DHE EMRA.
Kjo më poshtë është vetëm lista e manipulimeve te Këlliçit.
Albana Vokshi ka listë tjetër (atë të grave)
Për ekspozimin e këtyre manipulimeve u hodha në gjyq dhe këta të PDse nuk bën asgjë për ta ndaluar, duke i ditur faktet bashkangjitur këtu. Madje, kurrë nuk i kanë mohuar. Në fakt, ky gjyq ndaj meje është njollë për Berishën, sepse ai lejoi këtë padi.
Tashti, Sali Berisha, i detyrohet një shpjegim të gjithë demokratëve, pse mbylli sytë kur ja tregova këto manipulime ne Maj, dhe pse në vënd që ta hiqte Këllicin, e nxorri fitues (me manipulime) kundrejt Velias.
Në fakt, përgjigja mund të gjëndet në diskutimet e gjata të Cim Pekes me Veliajn, diku andej nga Maji-Qershori, kur këta takoheshin shpesh për ecjet e mëngjesit.
Emrat që duhet të hynin në këshillë në bazë të votave dhe i hoqën në mënyrë që të fuste Belindi njerëzit e vet:
Emiliano Mone
Klement Cela
Dhimiter Vata
Durim Balla
Albert Avduli
Arben Muja
Asllan Dogjani
Arben Sulo
Alfred Halili
Destan Marku
Artan Como
---
p.s. Ka emra të tjerë që hoqën sepse tejkaluan kuotën e grave.
---
Emrat që u futën mbi kuotë dhe në mënyrë flagrante dhe manipuluese:
Renis Gjoka
Armend Musaj
Sara Bodo
Besart Xhaferri
Dorel Memoci
Imanuel Caushaj
Lorin Hoxha
Ensa Basha
Anisa Dervishaj
Nikolin Cali
Elgi Hysa

SQARIM I KOMISIONIT QËNDROR TË NUMËRIMIT - KUVENDI KOMBËTAR I PD

Ditët e fundit, në rrjetet sociale dhe media kanë qarkulluar disa lajme të rreme në lidhje me votimin në Kuvendin Kombëtar të datës 30 prill 2022 për anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD.

Në Kuvendin Kombëtar të PD të datës 30 prill 2022, u votua për 150 anëtarët e Këshillit kombëtar nga lista total prej 424 kandidatë miratuar nga Kryesia e PD.
Statuti i PD në nenin 44 pika 3 përcakton që:

● Kuvendi Kombëtar i zgjedh antarët e Këshillit Kombëtar me votim të fshehtë nga një listë e propozuar nga Kryetari i Partisë, pas miratimit në Kryesinë e Partisë. Miratimi i listës nga Kryesia dhe publikimi i saj bëhet jo më vonë se pesë ditë përpara ditës së votimit. Numri i kandidatëve duhet të jetë jo më pak se dyfishi i numrit të vendeve që do të shpallen fitues. Numri i anëtarëve të zgjedhur të Këshillit Kombëtar nga gjinia më pak e përfaqësuar nuk duhet të jetë më pak se 30%, ndërkohë që numri i të rinjve deri nën moshën 35 vjeç nuk duhet të jetë më pak se 15%.

Nëse kuotat e mësipërme nuk plotësohen nga renditja e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre veçohet nga ajo e përgjithshmja, deri në plotësimin e numrit të kërkuar.”

Pra në listën e Këshillit Kombëtar, bazuar në këtë nen, hyjnë:

-         30 % ose minimalisht 45 zonjat më të votuara;
-        15%, ose minimalisht 23 të rinj nën 35 vjeç, më të votuarit;
-        Nëse kuotat e mësipërme nuk plotësohen nga renditja pas numurimit të parë, atëherë kualifikohen ata kandidatë gra ose të rinj të cilët kanë numrin më të madh të votave në vijim, pavarësisht renditjes së tyre numerike. Plotësimi i kuotës ka prioritet mbi renditjen numerike;
-        Pas plotësimit të kuotave vijojnë kandidatët, pavarësisht gjinisë, sipas renditjes së tyre mbi bazën e votave të marra.

E njëjta formulë ndiqet edhe në zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare, për të përcaktuar kuotat e përcaktuara me ligj.

Kjo procedurë është ndjekur me përpikmëri nga Komisioni Qendror i Numërimit.

Pas procesit të votimit në Pallatin e Kongreseve, procesi i numërimit u organizua në selinë e Partisë Demokratike. U ngritën 14 grupe numërimi. Numërimi filloi në orën 20.00 e vijoi përgjatë gjithë natës, në mënyrën më transparente, para 5 kamerave të vendosura në ambjentet e selisë, në prani të mediave e anëtarëve apo të interesuarve për këtë proces. Numërimi është transmetuar live në kanalin e YouTube të Kryetarit të PD z. Sali Berisha, si dhe në rrjetet sociale të PD.

Në fund të numërimit, Komisioni pasi mori në konsideratë kuotat e përcaktuara në Statut shpalli listën finale të Këshillit Kombëtar.

Rezultoi që:

-        10 zonja (nga 45) morën vota mjaftueshëm për të hyrë drejtpërdrejt në Këshillin Kombëtar. 35 zonja të tjera hynë si pasojë e plotësimit të kuotës gjinore;
-        5 të rinj (nga 23) morën vota mjaftueshëm për të hyrë në Këshillin Kombëtar. 18 të tjerë hynë si pasojë e kuotës për të rinjtë. Të gjithë të rinjtë e tjerë në listën fituese të Këshillit Kombëtar janë propozime të strukturave të degëve apo pjesë e strukturave drejtuese të tyre.

Në total: 53 gra e të rinj u veçuan në renditje për të plotësuar kuotat e përcaktuar me statut.
Është e rëndësishme të theksojmë që çdo kandidat ka pasur mundësinë e verifikimit të rezultatit të saj apo të tij bazuar në Vendimin e Komisionit Qendror të Numërimit. Janë rreth 20 raste të cilët kanë verifikuar rezultatin e tyre.

Komisioni ka respektuar në çdo gërmë statutin e PD miratuar në Kuvendin e datës 11 dhjetor 2021, duke respektuar kuotat e grave e të rinjve.

Procedurat e votimit e të numërimit kanë qenë tërësisht transparente.

Çdokush që është i interesuar mund t’i drejtohet Komisionit Qendror të Numërimit pranë Partisë Demokratike për informacione të mëtejshme.
PD mbetet partia e vetme politike ku vota është instititucionalizuar dhe është ajo që vendos cilat janë forumet drejtuese të PD apo drejtuesit në cdo hallkë të strukturave të saj me parimin një anëtar një votë.

evi kokalari partia demokratik sali berisha

Sondazh

Poll