Sport

Pas Dino Baggios, vjen edhe një tjetër akuzë: "Ne nuk e dinim se çfarë po merrnim, ata gjithmonë thoshin se ishin vitamina"

Rumuni Florin Raducioiu, ish-sulmues i Barit, Brescia dhe Milanit, flet për të njejtën çështje, përdorimin e substancave medicinale të panjohura nga futbollistët

18 Janar 2023, 17:21 Nga DOSJA
Pas Dino Baggios, vjen edhe një tjetër akuzë: "Ne nuk e
Ish-futbollisti rumun Florin Raducioiu

ITALI - Pas deklaratave të diskutueshme të Dino Baggio për suplementet që merrnin lojtarët në të kaluarën, në lidhje me vdekjen e Gianluca Vialli (nga kanceri, si Sinisa Mihaijlovic, disa javë më parë), Florin Raducioiu, ish-sulmues i Barit, Brescia dhe Milanit, flet për të njejtën çështje.

Tani në moshën 52-vjeçare, ish-futbollisti rumun, u shpreh për Orange Sport kështu: “Ata na dhanë disa pika të një lëngu rozë. E pranoj, kam marrë edhe disa ilaçe. Do të telefonoj mjekun që më ndoqi në Brescia, për të mësuar më shumë. Për të zbuluar se çfarë kam pirë në Milano, në Brescia, në Verona.”

Dhe ai vazhdoi: “Nuk e dinim se çfarë po merrnim. Ata gjithmonë thoshin se ishin vitamina, glukozë (sheqer). Ai lëngu rozë është marrë në prag të ndeshjeve, më kujtohet shumë mirë. Në Milano morëm gjëra të tjera, pilula. Këto i kam thënë para dhe pas vdekjes së Viallit. Ne duhet të pyesim veten pse ndodhin këto vdekje të parakohshme.”

Ndërkohë, Dino Baggio kërkoi që të hapet një hetim për substancat e administruara gjatë kohës që ai ishte lojtar. Në një intervistë për gazetën ‘Gazzetta dello Sport’, ai këmbënguli se këto substanca mund të kenë kosto afatgjata për shëndetin e lojtarëve:

“Imagjinoni që mjekët na kanë dhënë substanca dopingu. Do të doja që shkenca të ishte në gjendje të jepte përgjigje në lidhje me medikamentet e administruara për t'u rikuperuar nga dëmtimet ose për të përmirësuar nivelet fizike, që të hetohen substancat që janë përdorur në atë kohë.”
Mihajlovic kur vdiq ishte 53, Vialli 58 vjeç.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll