Aktualitet

Padia e dytë për Xhaçkën në Kushtetuese, përfaqësuesi i PD: Nuk i takon Kuvendit të vendosë nëse ka shkelje ose jo

Ai shtoi se Kuvendi ka shkelur Kushtetutën, ndaj deputetët nuk kishin zgjidhje tjetër, veçse t'i drejtoheshin Kushtetueses.

18 Janar 2023, 14:38 Nga F.M
Padia e dytë për Xhaçkën në Kushtetuese,
Gjykata Kushtetuese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka nisur shqyrtimin e padisë së dytë të depozituar nga 28 deputetë demokratë. Franci Nuri, përfaqësuesi ligjor i deputetëve të PD theksoi se nuk i takon Kuvendit që të vendosë nëse ka shkelje apo jo.

“Nuk i takon Kuvendit të vendosë nëse ka shkelje ose jo. Kuvendi ka shkelur hapur Kushtetutën. Në kushtet kur Kuvendi ka shkelur Kushtetutën, gjykojmë se deputetët nuk kishin asnjë mundësi tjetër vetëm t’i drejtoheshin Kushtetueses për të zgjidhur çështjen në themel,”- tha Nuri.

Sot Kushtetuesja shqyrtoi dy paditë e bëra nga të dyja grupet e Partisë Demokratike. Opozita pretendon se deputetja Xhaçka është në konflikt të hapur interesi, sepse kompania e bashkëshortit të saj, pra edhe ajo vetë, kanë përfituar pasuri publike shtetërore, gjatë investimit në një objekt turistik. Kuvendi votoi me 74 vota pro, raportin e mazhorancës të Këshillit të Rregullorës, që bllokonte dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të shqyrtimit të mandatit të Olta Xhaçkës dhe pas këtij vendimi, demokratët u paraqitën në Kushtetuese.

Deri më tani, nga parashtrimet, Xhaçka po përpiqet të shpëtojë mandatin e saj me procedurë, duke sjellë si argument në favor, tejzgjatjen e vendimmarrjes nga Kuvendi për dy mocionet e opozitës. Sipas avokatit të Xhaçkës, Genci Çifligu, shqyrtimi i papajtueshmërisë së mandatit në Gjykatën Kushtetuese është në tejkalim të afateve kohore të parashikuara në ligj dhe kësisoj “nuk përbën subjekt kushtetues”.

gjykata kushtetuese mandati i olta xhackes

Sondazh

Poll