Politike

Mandati i Xhaçkës në Kushtetuese, Logu: Detyroni Kuvendin t’i bindet ligjit, s’mund të bëjë interpretime

Logu tha se nuk kërkojnë që Gjykata të shprehet që sot për mandatin e Xhaçkës, por që vetëm ky institucion mund të thotë fjalën e fundit për këtë çështje.

18 Janar 2023, 10:47 Nga F.M
Mandati i Xhaçkës në Kushtetuese, Logu: Detyroni Kuvendin
Marash Logu

TIRANË- Marash Logu, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të detyrojë Kuvendin të çojë në gjyq çështjen e mandatit të deputetet Olta Xhaçka. I pranishëm në seancën që ka nisur në orën 10:00, Logu tha se nuk kërkojnë që Gjykata të shprehet që sot për mandatin e Xhaçkës, por që vetëm ky institucion mund të thotë fjalën e fundit për këtë çështje.

“Kuvendi rrëzoi kërkesën e deputetëve. Kuvendi nuk ka përgjegjësi ligjore të bëjë interpretime, të hyjë në meritat e çështjes. Nuk kërkojmë që Gjykata të shprehet sot për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Kërkojmë që Gjykata Kushtetuese të detyrojë Kuvendin të sjellë çështjen në Gjykatë dhe të jetë Gjykata Kushtetuese të thotë fjalën e fundit mbi këtë çështje,”- mësohet të ketë thënë Logu.

Sot Kushtetuesja shqyrtoi dy paditë e bëra nga të dyja grupet e Partisë Demokratike. Opozita pretendon se deputetja Xhaçka është në konflikt të hapur interesi, sepse kompania e bashkëshortit të saj, pra edhe ajo vetë, kanë përfituar pasuri publike shtetërore, gjatë investimit në një objekt turistik. Kuvendi votoi me 74 vota pro, raportin e mazhorancës të Këshillit të Rregullorës, që bllokonte dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të shqyrtimit të mandatit të Olta Xhaçkës dhe pas këtij vendimi, demokratët u paraqitën në Kushtetuese.

Deri më tani, nga parashtrimet, Xhaçka po përpiqet të shpëtojë mandatin e saj me procedurë, duke sjellë si argument në favor, tejzgjatjen e vendimmarrjes nga Kuvendi për dy mocionet e opozitës. Sipas avokatit të Xhaçkës, Genci Çifligu, shqyrtimi i papajtueshmërisë së mandatit në Gjykatën Kushtetuese është në tejkalim të afateve kohore të parashikuara në ligj dhe kësisoj “nuk përbën subjekt kushtetues”.

olta xhacka marash logu mandati i olta xhackes

Sondazh

Poll