Politike

Ftesa e Ramës për liderët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut/ Lëvizja 'BESA' ka një kusht: Nuk ulemi me Ali Ahmetin në një tryezë

Takimi i kryeministrit Edi Rama vjen në një moment kyç për Maqedoninë e Veriut

9 Janar 2023, 13:09 Nga A.B
Ftesa e Ramës për liderët shqiptarë të Maqedonisë
Rama me lideret

MAQEDONI E VERIUT- Kryeministri Edi Rama ka ftuar ditën e martë në Tiranë, liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut. 

Ftesë për takim kanë marrë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ai i ASH-së, Arben Taravari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe kreu i Alternativës, Afrim Gashi. Të katërt e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, mirëpo Lëvizja BESA e ka një kusht. Ata shprehen se nuk mund të ulen në një tryezë me BDI-në dhe Ali Ahmetin. 

"Në si Lëvizje BESA nuk kemi asnjë dilemë të vetme tek qëllimi i pastër i kryeministrit të Shqipërisë, për atë që interesohet për situatën politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shqetësimi jonë si Lëvizje është tek BDI dhe Ali Ahmeti, tek lojërat dhe hilet e tij sa i përket këtyre takimeve, pasi që çdo herë kur ai ka telashe brenda subjektit të tij keqpërdor diçka të tillë, andaj ne i përgjigjemi pozitivisht ftesës së kryeministrit pa e parë të arsyeshme të ulemi me BDI-në dhe Ali Ahmetin në një tryezë" tha Faruk Avdiu zëdhënës i Lëvizjes BESA.

Takimi i kryeministrit Edi Rama vjen në një moment kyç për Maqedoninë e Veriut, pasi në Parlament duhet të votohen ndryshimet kushtetuese. Sigurimi i votave për ndryshimet kushtetuese pritet të jetë sfida e këtij viti për qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që të mund të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare me BE-në.

edi rama levizja besa

Sondazh

Poll