Sport

Falsifikimet e moshës, modë e vjetër në Kamerun që Eto’o do t’i japë fund. Shumë lojtarë të U-17 dështojnë në testimin MRI…

Rezonanca magnetike (MRI) e pa skuadrën U-17 të shkatërruar në kampin e tyre stërvitor në Mbankomo, në periferi të Yaounde. Nga grupi fillestar prej 30 lojtarësh, 21 dështuan në testet.

5 Janar 2023, 18:01 Nga DOSJA
Falsifikimet e moshës, modë e vjetër në Kamerun që

KAMERUN - Skuadra përfaqësuese U-17-të e Kamerunit do të formohet përsëri, pasi shumë lojtarë të rinj të grumbulluar në të dështuan në testet e moshës, të urdhëruara nga Samuel Eto'o, presidenti i organit qeverisës të futbollit në këtë vend afrikan (Fecafoot).

Këmbëngulja e ish-sulmuesit të Barcelonës dhe Interit për të përdorur imazhet e rezonancës magnetike (MRI) e pa skuadrën U-17 të shkatërruar në kampin e tyre stërvitor në Mbankomo, në periferi të Yaounde. Nga grupi fillestar prej 30 lojtarësh, 21 dështuan në testet. BBC Sport Africa raporton, se tani trajneri Jean Pierre Fiala po përpiqet të gjejë zëvendësues për të plotësuar ekipin U-17, i cili thuajse ekziston vetëm në letër, pas kontrollit mjekësor.

Kameruni do të presë Kongon, Çadin, DR Kongon dhe Republikën e Afrikës Qendrore për kualifikimet e U-17 të Unionit të Federatave të Futbollit të Afrikës Qendrore (UNIFFAC) midis 12 dhe 24 janarit, me dy ekipe para që do të kualifikohen për në finalet e prillit në Algjeri, për këtë moshë.

Një deklaratë e Fecafoot thotë, se Eto'o ka dhënë "udhëzime të rrepta" për veprimet që do të ndërmerren "në mënyrë që t'i jepet fund manipulimit të të dhënave të gjendjes civile të cilat, në të kaluarën kanë njollosur imazhin e futbollit të Kamerunit. Fecafoot u bën thirrje të gjithë aktorëve, në veçanti edukatorëve, të sigurojnë që moshat sipas kategorive të respektohen”.

Shumë nga sukseset ndërkombëtare të Afrikës në turnetë e të rinjve janë turbulluar nga akuzat për përdorimin e lojtarëve mbi moshën. FIFA prezantoi skanimet MRI në Kupën e Botës U-17 më 2009, e cila u zhvillua në Nigeri. Ky test funksionon duke skanuar kyçin e dorës, për të studiuar se sa e avancuar është struktura e kockave. Në vitin 2017, Fecafoot bllokoi 14 lojtarë, që të merrnin pjesë në Afcon U-17 në Gabon pasi ata dështuan në testet.

"Këtu në Kamerun, njerëzit janë përgjithësisht të kënaqur që Fecafoot duket se po bën diçka për të ndaluar mashtrimin,- thotë gazetari Simon Lyonga për BBC Sport Africa. - Është e rëndësishme që vendi t'u japë shanse lojtarëve të moshës së duhur”. Kameruni ka qenë dy herë kampion kontinental në nivelin U-17, në 2003 dhe 2019.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll