Aktualitet

Mbarojnë festat/ Emigrantët kthehen në vendet e punës, fluks në Durrës, Vlorë, Kapshticë e Kakavijë

Dy ditët e fundit përkatësisht në datat 2 dhe 3, rreth 3300 persona janë larguar nga vendi përmes kalimit në Portin e Durrësit, shumica e të cilëve emigrantë e shtetas të huaj të cilët kaluan festat e fundvitit në Shqipëri dhe Kosovë. 

4 Janar 2023, 10:38 Nga a.l
Mbarojnë festat/ Emigrantët kthehen në vendet e punës, fluks
Porti i Durrësit

DURRËS- Me përfundimin e festave të fundvitit, emigrantët shqiptarë janë kthyer në vendet e tyre të punës. Gjatë tre ditëve të para të vitit 2023 në pikat kufitare ka patur fluks të shtuar të udhëtarëve  që kthehen në Itali dhe Greqi. Numri i personave të regjistruar në dalje është më i lartë se ai në hyrje dhe gjatë tri ditëve në vazhdim do të dyfishohet numri i lundrimeve për të përballuar fluksin e atyre që largohen nga vendi. Dy ditët e fundit përkatësisht në datat 2 dhe 3, rreth 3300 persona janë larguar nga vendi përmes kalimit në Portin e Durrësit, shumica e të cilëve emigrantë e shtetas të huaj të cilët kaluan festat e fundvitit në Shqipëri dhe Kosovë. 

E njëjta situatë paraqitet ditën e sotme edhe në Portin e Vlorës. Mësohet se nga kjo pikë e kalimit kufitar kanë dalë 952 pasagjerë, 163 makina të vogla dhe 21 kamionë dhe autobusë. Ndërkohë hyrjet nga Italia për në portin e Vlorës kanë qenë 446 pasagjerë, 61 mjete të vogla dhe 10 kamionë. Gjithashtu mësohet se sot pritet që drejt italisë të nisen dy tragete me udhëtarë. 

Fluks i madh raportohet edhe në pikën kufitare të Kapshticës. Mësohet se më datë 3 janar në këtë pikë të kalimit kufitar kanë hyrë 2591 persona ndërsa kanë dalë 5192. Në Qafë Thanë kanë hyrë 2634 persona dhe kanë dalë 2948.

Gjatë 24 orëve të fundit radhë të gjata kilometrike janë krijuar edhe në pikën kufitare Kakavijë. Nga kjo pikë kufitare janë larguar drejt Greqisë 5015 persona ndërsa edhe ritmi në hyrje vijon të jetë disi më i lartë krahasuar me periudha të zakonshme, me gati 3300 hyrje të regjistruara.

Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit më herët bëri me dije se po merreshin masa për të bërë të mundur qarkullimin e njëtrajtshëm të automjeteve nga të dyja anët, ndërsa u bë me dije se do të shtoheshin edhe sportele, por mesa duket situata e fluksit ngelet po e njejtë, ku udhëtarët detyrohen të presin me orë të tëra në trafik për të kaluar kufirin./ Dosja.al

fluks ne portin e durresit

Sondazh

Poll