Bota

Tensionet në veri të Kosovës/ EULEX: Kemi shtuar praninë në terren, po monitorojmë nga afër situatën

Gjithashtu njoftohet se patrullimet vëzhguese janë duke u bërë në këmbë në Zveçan. 

22 Dhjetor 2022, 10:55 Nga a.l
Tensionet në veri të Kosovës/ EULEX: Kemi shtuar praninë
EULEX

KOSOVË- Misioni i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, ka bërë të ditur se ka shtuar praninë në terren. Përmes një postimi në rrjete sociale EULX njofton se është duke monitoruar nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore të vendit. Gjithashtu njoftohet se patrullimet vëzhguese janë duke u bërë në këmbë në Zveçan. 

'Ne jemi duke monitoruar nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës përmes pranisë sonë të shtuar në terren. Pjesëtarët e Njësisë Policore të Specializuar tonë dhe pjesëtarët dhe nga Njësia e jonë Policore e Specializuar Rezervë nga Forca Evropiane e Xhandarmërisë janë duke kryer patrullime vëzhguese, përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan. Duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, EULEX-i rregullisht e përshtatë praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren, si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in", shkruan EULEX Kosovo.

eulex

Sot është dita e 13-të e tensioneve në Veri të Kosovës. Shtetasit serbë në veri të Kosovës, kanë paralajmëruar sot protestë masive pas deklaratave të bëra nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili më herët u shpreh se heqja e barrikadave do të shtojë tensionet dhe do të sjellë në degradim të situatës duke shkaktuar viktima. Protesta do të mbahet në Rudare të komunës së Zveçanit.  Bëhet me dije se, në këtë protestë pjesëmarrjen e kanë të detyrueshme të gjithë të punësuarit në institucionet të cilat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, nga mbarë Kosova, ndërsa janë ftuar edhe qytetarë nga qytetet e afërta të Serbisë, siç janë Rashka, Novi Pazari etj. Në veri të Kosovës janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, shok-bomba e granata dore. Gjithsej nëntë barrikada janë ngritur nga serbët lokalë, duke bllokuar rrugët në atë pjesë. Pjesëtarët e KFOR-it kanë shtuar prezencën në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë. Aty po qëndrojnë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kujdesen për sigurinë e qytetarëve shqiptarë e serbë. Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç. Ai dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.

tensione ne veri te kosoves eulex

Sondazh

Poll