Bota

'Heqja e barrikadave mund të shkaktojë viktima'/ Serbët në veri të Kosovës protestojnë sot kundër deklaratave të Kurtit

Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështet drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti.

22 Dhjetor 2022, 08:01 Nga a.l
'Heqja e barrikadave mund të shkaktojë viktima'/ Serbët
Veriu i Kosovës

KOSOVË- Sot do të mbahet një protestë nga ana e shtetasve serbë në veri të Kosovës, pas deklaratave të bëra nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili më herët u shpreh se heqja e barrikadave do të shtojë tensionet dhe do të sjellë në degradim të situatës duke shkaktuar viktima. Protesta do të mbahet në Rudare të komunës së Zvecanit. 

Përfaqësuesit e protestës kanë bërë të ditur se revolta vjen pasi deklaratat e kryeministrti kosovar Albin Kurti sipas tyre janë kërcënim. Ata gjithashtu do të bashkohen në këtë protestë kundër edhe deklaratave të bëra më herët edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde. 

Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështet drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti. Ambasadori gjerman, duke folur rreth situatës më të re të krijuar në veri të Kosovës, tha se barrikadat duhet të hiqen deri për Krishtlindje, si dhe kërkesa e Beogradit për kthimin e forcave serbe në Kosovë është absurde dhe e papranueshme.

Bëhet me dije se, në këtë protestë pjesëmarrjen e kanë të detyrueshme të gjithë të punësuarit në institucionet të cilat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, nga mbarë Kosova, ndërsa janë ftuar edhe qytetarë nga qytetet e afërta të Serbisë, siç janë Rashka, Novi Pazari etj.

Situata në pjesën veriore të vendit është e tensionuar që nga fillimi i dhjetorit. Në atë pjesë të banuar me shumicë serbe deri tani janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, shok-bomba e granata dore. Gjithsej nëntë barrikada janë ngritur nga serbët lokalë, duke bllokuar rrugët në atë pjesë. Pjesëtarët e KFOR-it kanë shtuar prezencën në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë. Aty po qëndrojnë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kujdesen për sigurinë e qytetarëve shqiptarë e serbë. Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç. Ai dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll