Bota

Përçarje në koalicionin qeverisës në Spanjë, shkak projektligji për të drejtat e transgjinorëve

 Nëse “Ligji Trans”, siç e quajnë spanjollët, miratohet siç pritet në javët në vijim, Spanja do të bëhet një nga vendet e pakta në botë që do të lejojë vetëvendosjen gjinore përmes një akti të thjeshtë administrativ.

21 Dhjetor 2022, 18:26 Nga d.a.
Përçarje në koalicionin qeverisës në Spanjë,
Foto ilustruese

SPANJË- Projektligji për të drejtat e transgjinorëve, i cili do të votohet nesër nga Parlamenti spanjoll, po shkakton çarje jo vetëm në koalicionin qeverisës, por edhe në lëvizjen feministe të Spanjës. Ky projekt-ligj kryesor i shtyrë nga e majta radikale, partia Podemos, partneri socialist i kryeministrit Pedro Sanchez në qeveri, duhet të miratohet më pas nga Senati. Nëse “Ligji Trans”, siç e quajnë spanjollët, miratohet siç pritet në javët në vijim, Spanja do të bëhet një nga vendet e pakta në botë që do të lejojë vetëvendosjen gjinore përmes një akti të thjeshtë administrativ.

“Personat trans të komunitetit LGBTI+ nuk mund të presin më që të njihen të gjitha të drejtat e tyre. Ne nuk do të pranojmë asnjë kthim prapa”, paralajmëroi në tetor Ministrja e Barazisë, Irene Montero, e lidhur me Podemos.

Duke synuar ndalimin e konsiderimit të interseksit si një sëmundje mendore, ligji do të lejojë këdo që dëshiron të ndryshojë emrin dhe gjininë në kartën e identitetit që nga mosha 16 vjeç, pa pasur nevojë të ketë një opinion mjekësor që vërteton se vuajnë nga "disforia gjinore" ose disa dëshmi të terapisë hormonale. Gjithashtu parashikohet që e njëjta mundësi të jepet edhe për adoleshentët e moshës 12-16 vjeç, në kushte të caktuara, kryesisht me pëlqimin e përfaqësuesve të tyre ligjorë. Kjo pikë ishte objekt i një negocimi të gjatë brenda qeverisë.

Përparim domethënës apo regres 'anti-feminist'? Projektligji, i refuzuar në tërësi nga e djathta, kundërshtohet edhe nga disa zëra në lëvizjen feministe. Figura të njohura të lëvizjes vlerësojnë, për shembull, se projektligji dëmton të drejtat e grave dhe mund të shkaktojë probleme për të rinjtë dhe nga ana tjetër ato akuzohen për aktivizëm "anti-trans" ose "transfobi".

"Me projektligjin, ne po fusim një kalë të Trojës në lëvizjen feministe" i tha AFP Lola Venegas, një zëdhënëse e Aleancës Kundër Margjinalizimit të Grave, e cila ka frikë se vetëvendosja gjinore do të çonte në një "tërheqje të dhunshme" të të drejtave të grave. Siç tha ajo, burrat që ndryshojnë gjininë "mund të marrin pjesë në ngjarje sportive për gratë", por gjithashtu të hyjnë në burgjet e grave ose qendrat për gratë e dhunuara.

Brenda Partisë Socialiste, projektligji ka shkaktuar tensione, duke filluar me largimin e papritur në tetor të aktivistes Carla Antonelli, gruaja e parë transgjinore e zgjedhur në parlamentin rajonal të Spanjës.

“Socializmi, nëse nuk është i guximshëm, nuk është socializëm”, shkroi ajo në Facebook, duke shprehur shqetësimin e saj për partinë e Pedro Sanchez.

Për Pablo Simon, profesor i shkencave politike në Universitetin Carlos III të Madridit, përballjet pasqyrojnë "luftën për pushtet" midis Podemos dhe socialistëve, një vit para zgjedhjeve parlamentare, por edhe tensionet brenda partisë Socialiste dhe lëvizjes feministe. Megjithatë, Simon vlerësoi se nuk duket e mundshme që tensionet të çojnë në një këputje mes dy partive që kanë nevojë për njëra-tjetrën për të qëndruar në pushtet.

ligji per transgjinoret ne spanje pedro sanchez irene montero

Sondazh

Poll