Bota

'Veriu i vendit duhet të kthehet në normalitet'/ Sveçla: Kosova i ka të gjitha kapacitetet për të larguar barrikadat

Sveçla shkruan se veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës sonë duhet të kthehet sa më shpejtë në normalitet.

17 Dhjetor 2022, 14:30 Nga a.l
'Veriu i vendit duhet të kthehet në normalitet'/
Xhelal Sveçla

KOSOVË- Ditën e sotme është vendosur një barrikadë e re në veri të Kosovës. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, shprehet se institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat. Në një postim në Facebook Sveçla shkruan se veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës sonë duhet të kthehet sa më shpejtë në normalitet.

POSTIMI I PLOTË:

Një nga lokalet e Prishtinës, si shumë biznese e familje bujare, dje ka përgatitur ushqim për zyrtarët tanë policor që po angazhohen në veri, në mbrojtje të vendit tonë. Darkën e kaluam së bashku me zyrtarët policor në Bërnjak të cilët, si gjithë të tjerët, me moral të lartë e me përkushtim po punojnë sipas misionit të tyre në ofrimin e sigurisë e në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë. Ndërsa, nga qytetarët e kësaj zone që janë bllokuar nga barrikadat tash e një javë po kërkohet me ngulm heqja e barrikadave dhe vazhdimi i jetesës dhe zhvillimit pa pengesa. Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat. Veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës sonë duhet të kthehet sa më shpejtë në normalitet.

Tensionet në veri të Kosovës vijojnë. Policia bën me dije se është vendosur një barrikadë e re në lagjen Berxhane e cila të çon në Zvecan.Po ashtu njoftohet se, bllokimi është bërë gjatë orëve të natës. Që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet tani më për shkak të vendosjes së barrikadave nga serbët.

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll