Politike

S'ka dakordësi tek Reforma Zgjedhore/ Rrëzohen propozimet e PD për Kodin Zgjedhor, s'hapen listat për këshillat bashkiakë

Sot, socialistët nuk pranuan as kërkesën për të zgjatur afatin kohor prej 4 muajsh të parashikuar në Kod, që nuk lejon shfrytëzimin e burimeve shtetërore në lidhje me tenderat apo politikat ekonomike dhe sociale.

16 Dhjetor 2022, 12:56 Nga k.m.
S'ka dakordësi tek Reforma Zgjedhore/ Rrëzohen propozimet e PD
Pamje nga Komisioni i Reformës Zgjedhore

TIRANË- Nuk ka dakordësi lidhur me Reformën Zgjedhore. Grupi i Enkelejd Alibeaj kërkon që kandidatëve për kryetarë bashkie t’u japë mundësinë të bëhen pjesë e këshillave vendorë nëse nuk arrijnë të fitojnë garën për drejtimin e qytetit. Bashkë më këtë pikë, Alibeaj bëri edhe kërkesa të tjera, duke kërkuar që edhe lista për këshillat bashkiakë të jetë e hapur dhe të ketë votë parapëlqyese, ashtu siç edhe ndodhi në zgjedhjet e fundit parlamentare të 25 prillit. Propozim që ka hasur në kundërshtinë e socialistit Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore. 

Po ashtu në mbledhjen e sotme, socialistët nuk pranuan as kërkesën për të zgjatur afatin kohor prej 4 muajsh të parashikuar në Kod, që nuk lejon shfrytëzimin e burimeve shtetërore në lidhje me tenderat apo politikat ekonomike dhe sociale. Ndërsa nga ana tjetërGjiknuri propozoi që të marren parasysh edhe propozimet e ekspertit të Fatmir Mediut, i cili kërkon rikthimin e koalicioneve.

Mbledhja është shoqëruar me debate në lidhje me zbatimin e rregullores nga dy bashkëkryetarët, Enkelejd Alibeaj dhe Damian Gjiknuri, por edhe me Petrit Vasilin, i cili u ankua se nuk merrte dot të drejtën e fjalës. 

PJESË NGA PËRPLASJA: 

Gjiknuri: Vasili unë isha korrekt, lash dhe zotin Alibeaj që të sqarohej. Unë mund të kem mendimin tim, i cili është politik, por mund të ketë një mendje juridike që mund të bindë anëtarët. Do dëgjoj opinionet, se unë mund të kem mendim politik si minidrejtues i kësaj mbledhje.

Alibeaj: Ne nuk jemi bashkë, unë jam vetëm këtu. Jam me ekspertët e mi. Nga ekspertët është vetëm një që ka propozuar, si zoti Sefa. Asnjë tjetër s’ka propozuar asgjë. Këtë dua të bëj me dije. I vetmi që ka propozuar është Indrit Sefa. Është e drejta e çdo eksperti që të propozojë në varësi të atyre që përfaqëson dhe mbron. Ndaj ai foli. Duhet të zbatojmë rregulloren. Ndaj secili të shprehë vullnetin për këtë çështje. I pari që kërkoi fjalën ishte zoti Çollaku.

Gjiknuri: Zoti Vasili, para se t’ua jap fjalën për procedurë….do jua jap mo, një sekondë.

Alibeaj: Eksperti juaj është njohur, nuk ka sjell asnjë propozim. Pse të humbasim kohë. Është koha tashmë që secili prej deputetëve të shprehë vullnetin e vetë.

Vasili: Ky është komisioni i deputetëve të Kuvendit, ekspertët janë ndihmës, lehtësues të këtij procesi. Aq është e vërtetë sa që produktin e tyre, kjo tavolinë mund ta mbështesë apo ta rrëzojë. Ju them administrojeni siç është për t’u drejtuar këtë komision. Jeni thjesht lehtësues të standardit, boll është bajatosur ky komision. Jepini standard. Drafti është një i vetëm. Nuk ka mendime alternative mesa kam parë. Kjo është pjesa e atij që quhet debat politiko-teknik. Sa më parë të futemi në këtë lloj debati, aq më mirë është. Këto shpenzime kohësh parazite na fusin në përplasje.

Reforma zgjedhore dhe ajo territoriale u ngritën në shkurt të këtij viti me kërkesë të PD-së, por asnjë nuk ka dalë me një produkt konkret. Me këtë ritëm, zgjedhjet e 14 majit zhvillohen pa asnjë rregullim të Kodit Zgjedhor, e po ashtu me hartën aktuale Territoriale. 

refoma zgjedhore komisioni per reformen zgjedhor

Sondazh

Poll