Aktualitet

Goditja e grupit të 'falsifikatorëve' në Polici zbuloi problemin me vleljen e gjobave, si funksiononte mekanizmi (SKEMA)

Të gjithë qytetarët e Republikës që gjobiten nga Policia e Shtetit, regjistrohen në sistemin kompjuterik ku bashkë me statusin shënohet edhe vlera e gjobës. Bardhi bashkë me Hoxhën, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në momentin kur sekseri Eduart Caka iu gjente klientët, arrinin ta menaxhonin sistemin jo në përputhje me ligjin por me xhepin. 

9 Dhjetor 2022, 13:04 Nga f.g
Goditja e grupit të 'falsifikatorëve' në Polici zbuloi
Foto ilustruese

TIRANE- Një skemë e mirëfilltë fallsifikimi u zbulua në kryeqytet ku në vetëm një javë, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, zbuloi sesi efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore mund ta zhbënin ligjin e vendosur nga policia në rrugë në këmbim të rryshfetit në zyrë. Alkid Ndreu, Arion Bardhi dhe Mirela Hoxha, në bashkëpunim me sekserin Eduart Caka i kanë shkaktuar dëm shtetit shqiptar në gati 100 milionë lekë vetëm për vitin 2022. Në këmbim të parave, zbatuesit e ligjit kishin bunkerizuar sistemin për ta përdorur atë për korrupsion. Në rastin e parë, Alkid Ndreu, oficer karriere në Policinë e Shtetit i zhbllokoi patentën një shofereje në këmbim të 700 mijë lekëve të vjetra, para që do ti ndante me sekserin. Eduart Caka, nuk ishte i vetmi. Bashkë me të, pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore, qëndrojnë edhe disa bashkëpunëtorë të tjerët të cilët gjejnë klientët me probleme. Zbulimi i rastit të dytë është shumë më i rëndë se i pari. 

Arion Bardhi në bashkëpunim me Mirela Hoxhën, duke shfrytëzuar aksesin në sistemin e gjobave të makinave ndryshonin online statusin e gjobave, nga “E papaguar” në “E paguar”. 

Sot, grupi del para gjykatës ku do të njihet me masat e sigurisë.

Por përpara se kapitulli i tyre me drejtësinë të nisë, le të flasim pak për mekanizmin e vleljes së gjobave. Të gjithë qytetarët e Republikës që gjobiten nga Policia e Shtetit, regjistrohen në sistemin kompjuterik ku bashkë me statusin shënohet edhe vlera e gjobës. Bardhi bashkë me Hoxhën, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në momentin kur sekseri Eduart Caka iu gjente klientët, arrinin ta menaxhonin sistemin jo në përputhje me ligjin por me xhepin. 

Vlera e dëmit të shkaktuar ndaj shtetit nga Bardhi dhe Hoxha përllogaritet në disa dhjetra milionë lekë në vetëm 2 muaj, ndërsa kjo shifër në bazë të të dhënave të hetimit mendohet se është shumë më e lartë. Dyshja përdorte komunikimin përmes rrjeteve sociale, ku pasi sekseri dërgonte targën e automjetit, ata ndërhynin në sistem ku verifikoheshin gjobat. Klientët me gjoba të shumta dhe me pagesa të larta ishin të preferuarit pasi me ta manipulimi i sistemit është edhe më i lehtë. Përveç ndryshimit të statusit nga e "e papaguar" në e "paguar", me ta, dyshja mund të bënte edhe uljen e shifrës së gjobës duke e modifikuar dhe lënë vetëm gjoba modeste, tejet të përballueshme nga klienti. 

Por si e fshihnin vjedhjen e gjobave në sistem? Për shkak të njohurisë së ligjit dhe faktit se kamatëvonesat vështirësojnë përputhjen e shifrave të derdhura në Thesarin e shtetit, Bardhi dhe Hoxha dinin se ku të godisnin. Duke marrë 30-50% të vlerës së gjobës, ata merrnin të dhënat nga sekseri për të vazhduar me vjedhjen. 

Këto raste, të cilat trajtohen ftohtësisht nga opinioni publik pa ditur dëmin konkret që i shkaktohet buxhetit të shtetit ngrejnë shqetësim madhor për mënyrën sesi autoritetet tona veprojnë me çështjen e gjobave. Shqetësimi i qytetarëve, të paktën në kryeqytet është i prekshëm për numrin e lartë të gjobave dhe pathosin për të zbatuar ligjin me rigorizitet, por çfarë ndodh me vjeljen e tyre. Kush është përgjegjës për auditimin dhe kontrollimin sesa herë këto para nuk kanë shkuar në arkën e shtetit por në xhepin e një grushti efektivësh të cilët sot janë në gjykatë për shpërdorim detyre? A arrin shteti të aplikojë ligjin në çdo zyrë? Ku buron guximi për tu mbivendosur mbi shtetin? /Dosja.al

arion bardhi mirela hoxha eduart caka alkid ndreu

Sondazh

Poll