Aktualitet

Arrestohet Gert Shehu, Policia: Plagosi deputetin Berisha (2 AKUZAT ndaj tij)

Ndaj Shehut rëndojnë 2 akuza: goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje.

7 Dhjetor 2022, 15:07 Nga A.B
Arrestohet Gert Shehu, Policia: Plagosi deputetin Berisha (2 AKUZAT ndaj tij)
Gert Shehu dhe Sali Berisha

TIRANË- Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar 31-vjeçarin Gert Shehu, i cili një ditë më parë goditi me grusht në fytyrë kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Dy akuza janë ngritur ndaj autorit që la të lënduar në fytyrë liderin e PD-së. Policia informon se Shehu do të hetohet për goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje. 

Policia njofton se nga veprimet hetimore ka rezultuar se Shehu ka goditur me grusht në fytyrë, Sali Berishën, të cilin e cilësojnë në njoftim si 'deputet' e jo si kreun e PD-së.

NJOFTIMI I POLICISË:

Strukturat e posaçme të Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës, të DVP Tiranë, dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kryerjes së një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ngjarjen e ndodhur më datë 06.12.2022, arrestuan në flagrancë shtetasin: Gert Shehu, 31 vjeç, banues në Tiranë, për goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka goditur me grusht në fytyrë, deputetin Sali Berisha, duke i shkaktuar dëmtime fizike, gjatë kohës që ai po lëvizte me këmbë, në bulevardin Zhan D’Ark, në drejtim të vendit ku do të zhvillohej protesta e planifikuar. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Çfarë ndodhi dje?

Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së. 31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe mori mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi. Dyshohet se 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.

gert shehu dhunohet berisha ne proteste

Sondazh

Poll