Aktualitet

Vrau kolegun/ Gjykata kalon për gjykim ish-efektivin, SMS e Zaimit para krimit: Amanet mamin dhe babin

Gjykatësi Sokol Pasha ka kërkuar gjithashtu edhe një ekspertizë mjeko-ligjore të autorit, kjo sepse gjatë kontrollit në banesë, atij iu gjetën anti- depresantë seroquel, medikament që përdoret për të kuruar skizofreninë.

1 Dhjetor 2022, 14:19 Nga A.B

Vrau kolegun/ Gjykata kalon për gjykim ish-efektivin, SMS e Zaimit para

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka kaluar për gjykim Ludjan Zaimin efektivin që vrau në komisariat kolegun Çaush Saliasin. Ai akuzohet për vrasje me dashje dhe nuk përfiton gjykim të shkurtuar.

Në seancën e parë në ngarkim të ish-efektivit të Komisariatit Nr.3 Ludjan Zaimi, që vrau kolegun e tij Çaush Saliasin në ambientet e vendit të punës, u vendos kalimi për gjykim të të pandehurit. Gjykata regjistroi çështjen me akuzën e “vrasjes me dashje e punonjësit të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj”. Kjo vepër penale ka një marzh dënimi  jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Gjykata nuk pranoi gjykimin e shkurtuar dhe do të gjykohet me procedurë të zakonshme, për shkak të veprës penale që ka kryer i pandehuri. Në dosjen hetimore, thuhet se me vlerë është dëshmia e një prej kolegëve të Zaimit, ku ngrihen dyshime se ai e ka planifikuar më përpara vrasjen.

“Makina e autorit qëndronte e ndezur në derën e komisariatit, e gatshme për t’u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa pak kohë para veprimit të tij, kishte dërguar mesazhe të dyshimta të afërmve të tij”, thuhet në dosjen hetimore.

Ludjan Zaimi, sipas Prokurorisë, pak para krimit, i shkruan një personi të dënuar një mesazh me përmbajtje: “Do t’ju shkruaj në darkë diçka. Paçim tani… Elio, Eris, Faik, ju lë amanet babin dhe mamin, nëse do të kem mundësi do t’ju ndihmoj. Kur them amanet, duhet ta mbani amanetin. Eljo ose Eris, njëri nga ju, le të bëhet djali i shtëpisë time. Të lutem”.

Një tjetër mesazh, Ludjan Zaimi ia nis një shtetasi me iniciale D.C, të cilit i lë amanet personin e afërm e quajtur “D”.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 23 majit teksa po ndërroheshin turnet dhe në sallë ishin kolegët e tjerë. Zaimi duket se e kishte të qartë shënjestrën e tij ndaj i bëri thirrje efektivëve të pranishëm që të ulnin kokat. Në dëshminë e tij  Zaimi tha se e vrau Saliasin pasi e tallte dhe e shante duke i thënë “qorr” dhe duke e sharë nga nëna.

ludjan zaimi

Sondazh

Poll