Aktualitet

“Drogën e ka porositur dikush që ka vrarë policë”/ Kokaina në shtëpinë e zyrtarit të PS, 'lushnjari' mbante lidhjet me grupin

Gjolena është shprehur se 'porositësit' kanë lidhje me strukturat e shtetit, kanë kryer dhe vrasje punonjësish policie dhe nuk i kanë dalë garant personit që ka marrë përsipër kalimin e ngarkesës për shkak të kontrolleve. 

30 Nëntor 2022, 20:41 Nga F.M
“Drogën e ka porositur dikush që ka vrarë
Kokaina

TIRANË- Personat që kishin bërë porosinë e 430 kilogramëve kokainë kanë lidhje me një grup që kanë marrë pjesë edhe në vrasje efektivësh. Këtë gjë e thotë vetë Nikolin Gjolena, i njohur me nofkën 'lushnjari;' një nga financierët kryesorë të grupit që u arrestua pak ditë më parë, pas zbulimit të laboratorit të kokainës në Fier. Në përgjimet e zbardhura nga emisioni i Klodiana Lalës, "Në shënjestër", del në pah se Gjolena është shprehur se 'porositësit' kanë lidhje me strukturat e shtetit, kanë kryer dhe vrasje punonjësish policie dhe nuk i kanë dalë garant personit që ka marrë përsipër kalimin e ngarkesës për shkak të kontrolleve. 

Pjesë nga dosja: 

Denilson Çervanaku, dëgjohet në një tjetër bisedë të datës 30 gusht, me Nikolin Gjolenën, teksa flasin për problemet që kanë me punonjësit e Portit. Nikolini i tregon Denilsonit, se një lidhja e tij i ka dërguar disa foto të një ambienti tjetër, të cilat bënin fjalë për 3 persona të grupit që ai njihte me parë dhe kanë lidhje me strukturat e shtetit. Sipas Nikolinit ata kanë kryer dhe vrasje punonjësish policie dhe nuk i kanë dalë garant personit që ka marrë përsipër kalimin e ngarkesës për shkak të kontrolleve. Denilsoni dhe Gjolena flasin për një ngarkesë tjetër që kanë tentuar ta fusin nëpërmjet Anglisë por që nuk kanë arritur që ta kalojnë dot dhe sipas tyre ngarkesa është kthyer mbrapsht, pasi kanë bërë gabim në vendin e origjinës së mallit në Kolumbi. Ndërsa shprehen se në të tilla raste ju hapet shumë punë, për shkak të moskoordinimit me bashkëpunëtorët e tyre. Por mes këtyre shqetësimeve, ata nga ana tjetër, janë të lumtur, kur ngarkesa zhdoganohet.

Lajmi u publikua fillimisht nga mediat malazeze, pasi në portin e Tivarit prej muajsh 24 ton pleh kimik i përzierë me 430 kilogramë kokainë priste për marrësin. Kur ky i fundit shkoi në port, ndërhyri DEA dhe u bë arrestimi i tij. Më pas u organizua operacioni për prangosjen e personave të tjerë në Shqipëri. Deri më tani janë arrestuar: Zenel Cervanaku, i cili akuzohet se është edhe porositësi i kësaj sasie kokaine; Viktor Çervanaku, ish-kryetari i komunës së Frakullit, djali i tij së bashku me të fejuarën, Denilson Çervenaku dhe Enxhi Ferhati; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë; Redion Meshi, 22 vjeç; Marildo Rona, Nikolin Gjolena, Julian Malaj dhe Bledar Matoshi. Në kërkim është shpallur kolumbiani Zaimir Rodrigez, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu.

laborator kokaine ne fier nikolin gjolena

Sondazh

Poll