Aktualitet

Hakimi iranian/ Prokuroria gjen 'fajtorë' 5 punonjësit e IT në DAP, por pse fshihet nga përgjegjësia kompania ndërtuese e Administratë.al?!

Rudina Llagami, Albi Gjeka, Altin Sallaku, Alketa Sulo dhe Igli Lubonja janë 5 punonjësitp për të cilët janë prerë urdhërarrestet me akuzën "shpërdorim detyre", ndërsa gjykata i ka caktuar masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje". 

30 Nëntor 2022, 11:12 Nga f.g
Hakimi iranian/ Prokuroria gjen 'fajtorë' 5 punonjësit e IT
Foto ilustruese

TIRANE- 5 punonjësit e menaxhimit të sistemit të informacionit pranë Departamentit të Administratës Publike janë gjetur fajtor nga Prokuroria e Tiranës pas hetimit për hakerimin iranian që prej muajsh po publikon të dhënat sensitive të institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë. 

Rudina Llagami, Albi Gjeka, Altin Sallaku, Alketa Sulo dhe Igli Lubonja janë 5 punonjësitp për të cilët janë prerë urdhërarrestet me akuzën "shpërdorim detyre", ndërsa gjykata i ka caktuar masën e sigurisë "detyrim paraqitje". 

Por përse akuzohen? Këtu nis edhe problemi. Në një njoftim të shpërndarë për mediat, tërësisht të paqartë, prokuroria deklaron se 5 punonjësit, me statusins specialist, kanë qenë të punësuar në DAP në kohën kur është ndërtuar uebsite "Administratë.al", nga ku kuptojmë se ka nisur vjedhja e të dhënave. Sipas prokurorisë, ata duhet të kërkonin raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al. 

Duke vijuar më tej, prokuroria e Tiranës shton se "Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t."

Ajo që është edhe më e dyshimtë në këtë histori është fshirja nga hetimi, së paku në këtë njoftim i operatorit ekonomik që mori përsipër ndërtimin e portalit dhe përgjigjet edhe për sigurinë e tij. Në asnjë rresht prokuroria nuk përmend nëse operatori është hetuar dhe nëse i është përgjigjur siç duhet kontratës. Nëse punonjësit nuk kishin dijeni për mënyrën e zbatimit të kontratës, kompania zhvilluese e uebsitit, si nuk arriti të sinjalizonte autoritet për sulmin që rrezikonte sigurinë e të dhënave? 

Hetimi nga i cili publiku pret përgjegjës është katandisur në një shfaqje që tregon për mungesën e seriozitetit të autoriteteve shqiptare në raport me sigurinë dhe përkujdesjen për të dhënat tona, që kanë dalë në shitje në "dark web" ndërsa "kokat që priten" nuk dihet sa gisht kanë në këtë çështje. Kush është fajtori?/Dosja.al

rudina llagami albi gjeka altin sallaku alketa sulo igli lubonja irani sulmon shqiperine

Sondazh

Poll