Bota

Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti: Njohja reciproke arrihet deri në pranverë, garanci kemi Brukselin, Parisin, Berlinin dhe Uashingtonin

Po ashtu, Albin Kurti tha se Kosova pret marrëveshja deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

25 Nëntor 2022, 22:53 Nga k.m.
Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti: Njohja reciproke arrihet deri në
Pamje nga intervista

PODGORICË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zgjedhur një televizion malazez, për të dhënë detaje mbi dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen e fundit për targat. Në një intervistë të publikuar sot nga "Gradski TV", ai ka thënë se Kosova po mbështetet në propozimin e Bashkimit Europian, të përkrahur nga Gjermania dhe Franca, për arritjen e një marrëveshjeje.

Po ashtu, Albin Kurti tha se Kosova pret marrëveshja deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Që nga 9 shtatori i këtij viti kemi një model në të cilin do të mbështetemi gjatë negociatave në të ardhmen, të cilat duhet të fillojnë menjëherë. Në fakt, thuhet se brenda pak ditësh, deri në pranverën e ardhshme, duhet të kemi një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ndërkohë ramë dakord që Kosova të mos vazhdojë me gjobat për veturat me targat ilegale KM dhe të tjera nga koha e sundimit të Millosheviqit. Serbia nuk do të lëshojë më targa të tilla dhe ne po u japim mundësinë, hapësirë ​​disamujore, si masë për besimin e ndërsjellë, për të arritur këtë marrëveshje, e cila është shumë e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për gjithë rajonin tonë,”- ka thënë Kurti.

Kurti u shpreh se Serbia e ka pranuar edhe hapjen e negociatave që do të bazohen në propozimin e Brukselit, të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe SHBA. Gjithashtu, shtoi se Kosova është vend normal, por sipas tij, Serbia është një administratë ruse. 

“As marrëdhëniet tona nuk janë normale, normalizimi i marrëdhënieve do të thotë që në fund të kemi një marrëveshje, një marrëveshje ndërkombëtare që është juridikisht obliguese dhe në të cilën në fokus kemi njohjen reciproke, ju e dini që Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe tani kemi një afat që ajo njohje reciproke të zbatohet diku në pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo është marrëveshja që është arritur mbrëmë dhe që Serbia e ka pranuar. Nga 33 marrëveshjet e arritura nga Kosova dhe Serbia në Bruksel, Serbia nuk ka zbatuar dy të tretat e tyre. Ne kemi përvojë të hidhur me Serbinë në kuptimin që nënshkrimi dhe zbatimi i marrëveshjeve janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Unë do të punoj për të siguruar që në të njëjtin kontekst të ndodh edhe nënshkrimi i marrëveshjes, por edhe zbatimi i saj. Tashmë si garanci kemi Brukselin, Parisin, Berlinin dhe Uashingtonin. Prandaj e shohim këtë deklaratë si një hap pozitiv, progresiv në drejtimin e duhur”, ka theksuar Kurti.

I pyetur nëse ka ndokush në Serbi sot që do të bënte një gjest si kancelari gjerman i atëhershëm Willy Brandt – i cili u gjunjëzua para monumentit të viktimave hebreje të Holokaustit, Kurti u shpreh besimplotë: Njerëz të tillë sigurisht që ka në Serbi, por ata janë individë dhe nuk kanë hapësirë​​për veprim, nuk e kanë forcën dhe fuqinë që vjen me pushtetin, pra janë në opozitë dhe janë në opozitën joparlamentare. Tani ndoshta do të duhet pak kohë, por po jetojmë në kohë të vështira dhe të çuditshme.

albin kurti

Sondazh

Poll