Aktualitet

Artan Hoxha tregon itinerarin e plehut kimik me kokainë: Qëndroi një muaj në Kombinat, më pas u mbyll në Fier. Kolumbianët sollën kimistët

Gazetari u shpreh se DEA është përpjekur që ta mbajë nën vëzhgim ngarkesën, e cila u nis nga porti kolumbian në fundin e muajit maj.

25 Nëntor 2022, 14:06 Nga F.M
Artan Hoxha tregon itinerarin e plehut kimik me kokainë: Qëndroi
Artan Hoxha

TIRANË- Gazetari Artan Hoxha ka ngritur hije dyshimi mbi kompaninë e cila ka kryer analizat e plehut organik dhe e ka certifikuar për të kaluar në doganë, ngarkesë që u kap në Fier brenda laboratorit të kokainës. I ftuar në studion e 'ABC', Hoxha tha se sasia e madhe e plehut organik ka tërhequr vëmendjen dhe nga aty ka nisur hetimi. Gazetari u shpreh se DEA është përpjekur që ta mbajë nën vëzhgim ngarkesën, e cila u nis nga porti kolumbian në fundin e muajit maj.

"Në korrik ngarkesa ka mbërritur në Portin e Pireut, në Greqi dhe më pas anija në fillim të shtatorit e ka shkaktuar këtë ngarkesë në Portin e Tivarit në Mal të Zi. Policia ka kërkuar përfshirjen e autoriteteve malazeze pasi kishin dyshime se mund të merrej që aty. Pasi është shkarkuar është kaluar në skaner. Kjo ka një kosto. Ta miksosh kokainën me elementë të tjerë dhe ta rikthesh në gjendjen e mëparshëm kërkon kimistë të zotë. Karteli kolumbian që e ka shitur ngarkesën, bashkë me të ka pasur dhe kimistët që kanë bërë të mundur këtë gjë. Së pari fshehjen dhe më pas rikthimin nga plehu në një sasi kokaine. Në Malin e Zi sasi e plehut është marrë me kamion, është zhdoganuar në Shqipëri dhe ka ardhur në Tiranë. Ka qëndruar për një kohë të konsiderueshme mbi një muaj në Kombinat. Nga aty ka shkuar në Frakull të Fierit ku u bë dhe goditja e djeshme,"- tha Hoxha. 

Si u zbulua labporatori i kokainës në Frakull të Fierit?

Fillimisht lajmi u dha në mediat malajzeze pas njoftimit se në Portin e Tivarit ishte kapur një sasi kokainë. Më pas u bë e qartë se ky ishte një mega-operacion i koordinuar mes DEA-s amerikane, SPAK dhe Policisë malajzeze që pas 3 muajsh hetime zbuluan laboratorin e drogës në Fier. Laboratori është zbuluar në banesën e ish-kryeplakut të fshatit Frakull, Viktor Çervanaku, i cili jeton në Tiranë. Në pranga janë vënë: Zenel Cervanaku, i cili është edhe porositësi i kësaj sasie kokaine; Viktor Çervanaku, ish-kryetari i komunës së Frakullit, djali i tij së bashku me të fejuarën, Denilson Çervenaku dhe Enxhi Ferhati; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë; Redion Meshi, 22 vjeç; Marildo Rona, Nikolin Gjolena, Julian Malaj dhe Bledar Matoshi. Në kërkim është shpallur kolumbiani Zaimir Rodrigez, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik.  Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu.

laborator kokaine ne fier artan hoxha

Sondazh

Poll