Bota

Zgjedhjet në Veri, deri tani vetëm një parti ka dorëzuar kërkesë në KQZ për certifikim, nesër përfundon afati

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi konfirmoi se deri tani vetëm një subjekt politik ka paraqitur kërkesën për certifikim dhe ajo është Iniciativa Qytetare Mitrovica.

20 Nëntor 2022, 09:02 Nga d.a.
Zgjedhjet në Veri, deri tani vetëm një parti ka dorëzuar
Foto ilustruese

KOSOVË- Data 21 nëntor do të jetë dhe afati i fundit për certifikimin e partive politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet në komunat serbe në Veri të Kosovës, pas dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave veriore dy javë më parë.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi konfirmoi se deri tani vetëm një subjekt politik ka paraqitur kërkesën për certifikim dhe ajo është Iniciativa Qytetare Mitrovica.

“Deri më tani, KQZ-ja ka pranuar një kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Kjo kërkesë është paraqitur në emër të subjektit politik Iniciativa Qytetare Mitrovica. Pra, ky subjekt politik ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje vetëm në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, tha  Elezi.

Lista Serbe ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe i ka bërë thirrje edhe qytetarëve serbë të mos dalin për të votuar.

Mirëpo, ligjshmëria e zgjedhjeve varet edhe nga pjesëmarrja e komunitetit serb në zgjedhje, ndonëse me ligj nuk është e paraparë.

Elezi javën e kaluar tha se nuk kufizohet se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje në një komunë në mënyrë që rezultati të mund të certifikohet nga KQZ-ja.

“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligji për zgjedhjet lokale nuk e kufizojnë se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje në një komunë në mënyrë që rezultati të mund të certifikohet nga KQZ-ja”, tha ai të mërkurën.

Nëse qytetarët serbë vendosin të mos e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë, ekziston rreziku që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mos pranohen nga partnerët ndërkombëtarë.

Pas vendimit të dorëheqjes së 4 kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar 18 dhjetorin si datë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa KQZ ka nisur përgatitjet. Më 18 dhjetor pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit.

zgjedhjet ne veri te kosoves vjosa osmani valmir elezi

Sondazh

Poll