Aktualitet

Dha dorëheqjen në prag të Vettingut, Gjyqtarja e Elbasanit 'sëmuret' një ditë pasi thirret në komision

Por dorëheqja e saj ka ardhur një ditë pasi ishte thirrur nga Komisioni i Vettingut, për t’u njohur me rezultatet e hetimit gati dyvjeçar.

16 Nëntor 2022, 19:52 Nga I.A
Dha dorëheqjen në prag të Vettingut, Gjyqtarja e Elbasanit
Pajtime Fetahu

TIRANË- Gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu ka dhënë dorëheqjen, duke i dhënë fund karrierës së saj nga sistemi i drejtësisë. Gazetari Adriatik Doçi për Report Tv ka deklaruar se Fetahu në dorëheqjen e saj ka pretenduar se është e sëmurë. Por dorëheqja e saj ka ardhur një ditë pasi ishte thirrur nga Komisioni i Vettingut, për t’u njohur me rezultatet e hetimit gati dyvjeçar.

Fetahu nuk shkoi ditën e djeshme në seancë duke dërguar avokaten e saj Regleta Panajoti. Avokatja Panajoti i kërkoi dje Komisionit të Vetingut që të ndërpriste procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Fetahu, pasi kjo e fundit kishte dhënë dorëheqjen me motiv gjendje jo të mirë shëndetësore si dhe me daljen në pension të parakohshëm.

Pajtime Fetah e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Në nëntor 2021, ajo iu nënshtrua një procedimi disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për cënim të figurës së gjyqtarit dhe paanshmërisë në gjykim, ndërsa KLGJ aplikoi ndaj saj masën e uljes së pagës me 20%.

pajtime fetahu

Sondazh

Poll