Politike

Porti i Durrësit/ Rama sulmon Ilir Metën: Ka njohuri për fshehjen e emrave e lekëve. Kam një ndjesi, PL do na 'lerë' shumë shpejt

Edi Rama shton se PL do të “shuhet” më shpejt se e para, LSI-ja.

10 Nëntor 2022, 17:21 Nga k.m.
Porti i Durrësit/ Rama sulmon Ilir Metën: Ka njohuri për fshehjen
Edi Rama dhe Ilir Meta

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka sulmuar kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Pas akuzave të këtij të fundit në lidhje me portin e Durrësit, kryeministri e ka sulmuar në rrjetet e tij sociale duke shkruar se Ilir Meta ka shumë njohuri për fshehjen e emrave dhe të lekëve. Por nuk ndalet me aq, e shton se Ilir Meta ka themeluar vetëm 2 parti, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë e Lirisë së fundmi. Ndërsa shton se PL do të “shuhet” më shpejt se e para, LSI-ja.

“S’di pse kam ndjesinë që ky shefi i PL (Partisë së Lekut) ka aq shumë njohuri të fshehura për fshehjen e emrave e lekëve, sa nuk i shmanget dot përgojimit deri edhe të dikujt me emër, mbiemër, kapitale e vepra të njohura dhe të respektuara botërisht! Ai që do të ndërtojë Portin Turistik të Durrësit, ka ndërtuar gjysmën e Dubait, kurse ky që e përgojon ka ndërtuar vetëm dy parti, njëra sapo ka ikur për skrap tjetra sapo ka ardhur për lekë! Kam edhe një ndjesi tjetër: Më duket se kjo tjetra do na lerë shumë më shpejt se e para!,”-tha Edi Rama.

Mohamed Alabbar, i njohur si themeluesi i “Emaar Properties”, e zhvilluesi i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall, është paraqitur nga qeveria si investitor i projektit të portit të Durrësit. Aktualisht kompania e regjistruar në vendin tonë për projektin ka statusin e investitorit strategjik dhe për llogari të projektit janë vënë në dispozicion 209 pasuri shtetërore. Kompania zotëruese e aksioneve ishte Symphony Real Estate Development që pak kohë më parë i kaloi aksionet tek NORTH EAST REAL ESTATE HOLDINGS LIMITED. Opozita e quan aferën më të madhe korruptive faljen e 800 mijë metrave katrore një kompani off shore, për të cilën kryetari i PD, Sali Berisha thotë se ka si aksionerë vëllezërit Kariç. Sipas opozitës, ky është një projekt i Ramës dhe Vuçiç për të marrë portin e Durrësit.

edi rama ilir meta

Sondazh

Poll