Bota

Ambasadorja amerikane në OKB: Zgjedhjet e mesmandatit nuk kanë ndikim në mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën

Të dy blloqet, republikanët dhe demokratët, kanë arritur fitime në zgjedhjet e mesmandatit, por kontrolli i Kongresit të SHBA-së mbetet i paqartë me disa gara kyçe ende të pavendosura.

10 Nëntor 2022, 13:10 Nga I.A
Ambasadorja amerikane në OKB: Zgjedhjet e mesmandatit nuk kanë ndikim
Linda Thomas-Greenfield

POLAND- Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara (OKB), Linda Thomas-Greenfield, ka deklaruar se rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit nuk do të kenë asnjë ndikim në mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën.

"Unë nuk shoh se zgjedhjet do të kenë ndikim në atë mbështetje. Kjo është një çështje e brendshme", u tha Thomas-Greenfield gazetarëve gjatë një vizite në një qendër arsimore të UNICEF-it për refugjatët ukrainas në Varshavë të Polonisë.

Të dy blloqet, republikanët dhe demokratët, kanë arritur fitime në zgjedhjet e mesmandatit, por kontrolli i Kongresit të SHBA-së mbetet i paqartë me disa gara kyçe ende të pavendosura. Thomas-Greenfield theksoi se mbështetja e SHBA-së për Ukrainën ka qenë dypartiake.

"Politika jonë e jashtme ka qenë dypartiake dhe e di se presidenti do të vazhdojë të punojë me Kongresin për të marrë mbështetjen që i nevojitet Ukrainës derisa të marrin fund sulmet e paprovokuara të Rusisë ndaj Ukrainës", tha ajo.

Ajo po ashtu përshëndeti qeverinë dhe popullin polak për ndihmën e tyre për refugjatët ukrainas.

"Një pjesë e takimeve të mia këtu në Poloni ishte të bisedoja me agjencitë, të bisedoja me qeverinë e Polonisë për planet e emergjencës për mundësinë që njerëzit të fillojnë të kalojnë kufirin për shkak të kushteve brenda Ukrainës", theksoi ajo.

Thomas-Greenfield ishte në Ukrainë në fillim të kësaj jave, ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë, përfshirë presidentin Volodymyr Zelenskyy. Sipas një njoftimi nga zyra e saj, Thomas-Greenfield i tha presidentit ukrainas se SHBA-ja është e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën dhe është e gatshme të qëndrojë me Ukrainën për aq kohë sa duhet.

linda thomas-greenfield lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll